Kërkimi për shtatë marinarë të Shteteve të Bashkuara, që ishin zhdukur pasi luftanija e tyre ishte përplasur me një anije transportuese afër bregdetit të Japonisë, tashmë ka përfunduar pasi është gjetur “një numër” trupash të pajetë, ka bërë me dije sot Marina amerikane.

Në deklaratë nuk specifikohet se sa trupa janë gjetur, por nënadmirali Joseph Aucoin, më vonë tha se kërkimi për të zhdukurit kishte përfunduar dhe se nuk do të jepen detaje të tjera, derisa të informohen familjet e viktimave.

Dje është raportuar se shtatë marinarë ishin zhdukur pasi luftanija amerikane, USS Fitzgerald ishte ndeshur me anijen tranportuese me flamur të Filipineve, ACX Crystal, duke shkaktuar dëme të mëdha në luftanijen amerikane. Në këtë anije ishin 285 anëtarë të ekuipazhit.

Për këtë incident të rëndë po zhvillohen hetime, ndërsa nënadmirali, Joseph Aucoin, tha se anëtarët e ekuipazhit “e parandaluan përmbysjen ose bile edhe fundosjen”.

“Nuk mund të them se sa jam krenar për ekuipazhin dhe për atë që ata kanë bërë për ta shpëtuar anijen”, tha Aucoin.

18 qershor 2017 (Shqip)