Një avion luftarak i Shteteve të Bashkuara rrëzoi të martën një dron të armatosur të regjimit sirian, ndërkohë që ai po u afrohej forcave të koalicionit kundër Shtetit Islamik në Sirinë jugore, thanë zyrtarët ushtarakë.

Avioni luftarak amerikan, F-15E rrëzoi dronin e prodhimit iranian ndërsa ai po u afrohej forcave aleate pranë qytetit At Tanf, përgjatë kufirit të Sirisë me Irakun, ku Shtetet e Bashkuara po stërvisin luftëtarët vendas për të luftuar kundër ekstremistëve të Shtetit Islamik.

Forcat e koalicionit goditën një dron të ngjashëm të regjimit sirian në të njejtën zonë më parë këtë muaj, tha Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara përmes një deklarate.

“Koalicioni ua ka bërë të qartë të gjitha palëve në mënyrë publike dhe përmes linjës së shmangies së konfliktit me forcat ruse se nuk do të tolerohet demonstrimi i synimeve armiqësore dhe veprimet e forcave pro-regjimit ndaj koalicionit dhe forcave partnere në Siri që kryejnë operacione të ligjshme kundër ISIS-it”, thuhet në deklaratë.

Zëvendës Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Ryabkov e quajti rrëzimin e e avionit një “akt agresioni”, por SHBA shprehën zhgënjim për kërcënimet ruse dhe thanë se do të vazhdojnë të mbrojë interesat e tyre në Siri.

“Regjimi sirian duhet të kuptojë se ne do të ruajmë të drejtën e forcave të koalicionit për t’u vetëmbrojtur në luftën kundër ISIS-it”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer.

20 qershor 2017 (Shqip)