Katër familjarë të personit që sulmoi me makinën e tij një fugon policie në Champs-Elysees, janë ndaluar nga policia. Bëhet fjalë për ish-bashkëshorten, vëllain, kunatën dhe babanë e Adam Lotfi Djaziri.

Personi vdi.q gjatë sulmit dhe ai ishte i njohur nga shërbimet sekrete si i “radikalizuar”. Masa ndaj familjarëve vjen pas kontrollit të hënën në mbrëmje në Plessis-Pâté, një komunë e vogël në rajonin Essone, 30 km në jug të Parisit, ku agresori ishte më i vogli i tre vëllezërve dhe motrave.

Familja Djaziri, ishte vendosur në këtë zonë gjysmë rurale prej 30 vjetësh. Dhe tani fqinjët e shtëpisë, pas garancisë së anonimatit, tregojnë për mediat franceze që “ata ishin shumë strikt në praktikat e tyre të besimit”. Persona shumë diskretë, thonë banorët e zonës, “nuk dilnin dhe nuk flisnin me njeri”.

Sipas babait, i kontaktuar nga agjencia Afp, para ndalimit nga policia, Adam Djaziri “kishte një armë me lejë dhe ushtrohej në qitje”.

Në makinën e tij janë gjetur edhe një automatik kallashnikov dhe bombola gazi. Ekziston dyshimi që Adam ishte i gatshëm të kryente një sulm jo të kufizuar, por një aksion të mirëfilltë kamikaz, apo të shkëmbente zjarr kundër policisë.

20 qershor 2017 (gazeta-shqip.com)