“Qytetarët e Bashkimit Europian që jetojnë në Britani të Madhe mund të qëndrojnë”. Kryeministrja britanike, Theresa May, në një letër të hapur për 3 milionë europianët që jetojnë në ishull, ka deklaruar se është e gatshme të mbrojë të drejtën e tyre për të qëndruar, duke shpjeguar që bisedimet me Brukselin mbi këtë temë vijojnë dhe “jemi pranë një marrëveshjeje”. “Të drejtat e qytetarëve janë prioriteti im i parë”, – shtoi ajo.

May, në prag të mbledhjes së Këshillit të Europës, ku do të flitet edhe për “Brexit”, ka siguruar që “të drejtat e qytetarëve janë prioriteti im absolut. E di që edhe kolegët e mi kanë të njëjtin objektiv: të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të BE-së që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të britanikëve që jetojnë në BE”.

“Kur nisëm këtë proces, disa na akuzuan se po i trajtojmë qytetarët e BE-së në mënyrë jo korrekte në krahasim me negociatat. Por gjithçka është larg së vërtetës”. Sipas saj, “qytetarët e BE-së, që jetojnë në Angli, kanë një kontribut të madh në vendin tonë. Dhe ne duam që të qëndrojnë me familjet e tyre. Nuk mund të jem më e qartë se kaq: qytetarët e BE-së që jetojnë me dokumente të rregullta tek ne mund të qëndrojnë”.

19 tetor 2017 (Shqip)