Presidenti i Katalonjës, Carles Puigdemont, ka anuluar deklaratën e parashikuar për në orën 14:30, ku sipas burimeve të shtypit, duhet të shpallte zgjedhjet rajonale për 20 dhjetor.

Nuk janë bërë të ditura arsyet e këtij vendimi. Sipas Tv3, Puigdemont mund të japë një deklaratë në Parlamentin katalanas këtë pasdite.

Më herë, gazeta katalanase “La Vanguardia” raportoi se Carles Puigdemont, do të shpallë zgjedhjet në Katalonjë për ditën e mërkurë të 20 dhjetorit.

Ndërkohë policia katalanase e “Mossos”, ka blinduar zonën e Parlamentit të Barcelonës para nisjes së sesionit, në orën 17:00, në të cilën Puigdemont duhet të njoftojë përgjigjen ndaj paralajmërimit të Madridit.

Më herët, lideri katalanas, deklaroi se kriza në Kataloni do të eskalojë nëse Spanja realizon planet për heqjen e autonomisë ndaj Katalonisë.

“Plani i qeverisë spanjolle do të krijojë një situatë edhe më të jashtëzakonshme me marrjen e autonomisë politike Katalonisë”, tha ai në letrën dërguar senatit spanjoll, i cili po përgatitet që sot të shqyrtojë zbatimin e nenit 155 të Kushtetutës dhe marrjen e institucioneve, policisë dhe financave në Kataloni, në rast se ky rajon nuk heq dorë nga shpallja e pavarësisë.

26 tetor 2017 (Shqip)