Kur Donald Trump shpalli kandidaturën për president, një këshilltar i tij, George Papadopoulos, u përpoq të mundësonte një takim mes zyrtarëve rusë dhe fushatës Trump. Në një intervistë në atë kohë, Donald Trump e përshkroi Papadopoulos si “një këshilltar për energjetikën dhe naftën, djalë i shkëlqyer”.

Takimi mes fushatës Trump dhe zyrtarëve rusë nuk u realizua. Por të hënën, Prokurori Special Robert Mueller bëri të ditur se Papadopoulos kishte pranuar në fillim të tetorit fajësinë lidhur me akuzat se u kishte dhënë agjentëve federalë informata të rreme. Bëhet fjalë për përgjigjet e tij ndaj pyetjeve të hetuesve të FBI-së lidhur me kohën dhe rëndësinë e kontakteve të tij me “një profesore jashtë SHBA”. Ai e pranon se ishte në dijeni të kontakteve të shumta që kishte profesorja me zyrtarë rusë, dhe se ajo dinte “të palara” lidhur me rivalen e Trump, Hillary Clinton dhe për kontakte me një “grua ruse” që mendohet se ishte mbesa e Presidentit Vladimir Putin.

Sipas dokumentit të fajësisë, Papadopoulos u kishte thënë zyrtarëve të FBI-së në një intervistë më 27 janar se kishte pasur kontakte me profesoren para se të përfshihej në fushatën e zotit Trump dhe se kontaktet me gruan ruse ishin të rastësishme dhe pa shumë afrimitet, por sipas prokurorëve këto deklarata ishin gënjeshtra.

Sipas aktpadisë, Papadopoulos kishte bërë një numër deklaratash të rreme ose kishte fshehur fakte lidhur me të njohurit e tij rusë si dhe një person që njihte në Ministrinë e Jashtme ruse.

Pasi pranoi fajësinë, Papadopoulos mund të dënohet me deri në pesë vjet burg dhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh, por ndëshkimi mund të ulet ndjeshëm nëse dëshmon kundër kontakteve me zyrtarët e fushatës Trump.

30 tetor 2017 (Shqip)