Media amerikane njofton se Paul Manafort, i cili ka qenë për një periudhë të shkurtër menaxher i fushatës së Donald Trumpit para zgjedhjeve presidenciale, është paraqitur tek autoritetet federale, të cilat pritet të ngrenë akuza kundër tij në lidhje me aktivitetin e Rusisë për të manipuluar zgjedhjet presidenciale amerikane.

Një juri e madhe vendosi të premten të ngrejë akuza pas hetimeve që po zhvillon Prokurori Special Robert Mueller, siç njoftojnë disa grupe kryesore mediatike. Akt-paditë mund të bëhen të ditura brenda pak orësh.

Deri tani, prokurori special Robert Mueller ka qenë i zënë me procesin e mbledhjes së fakteve mbi përpjekjet e Rusisë për të ndikuar tek zgjedhjet presidenciale amerikane dhe për të zbuluar nëse ka pasur akorde të fshehta mes fushatës së Donald Trumpit dhe agjentëve rusë. Ngritja e akuzave nënkupton se janë zbuluar prova të mjaftueshme për të bindur anëtarët e jurisë speciale se është e nevojshme të ndërmerren masa ligjore, ndoshta të kryhen edhe arrestime.

“Procesi duhet të jetë sekret,” thotë Guvernatori i Nju Xhërsit, Chris Christie. Të premten kanali televiziv CNN e bëri i pari njoftimin.

“Ligje të forta ndalojnë nxjerrjen e informacionit mbi vendimet e jurisë së madhe tek media. Varet kush e nxori, por mund të kemi të bëjmë me një vepër penale,” thotë Guvernatori Christie.

Që nga fillimet e hetimeve, ish-menaxheri i fushatës së Donald Trumpit, Paul Manafort ishte ndër personat më të përfolur.

30 tetor 2017 (Shqip)