Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, Juan Manuel Maza, ka kërkuar procedimin penal të guvernatorit katalanas Carles Puigdemont, të ministrave të tij dhe të presidentit të Parlamentit Carme Forcadell për rebelim dhe mosbindje.

Prokuroria ka bërë të ditur se nuk ka kërkuar arrestimin dhe se do të presë para se të mbajë një qëndrim mbi një masë të mundshme shtrënguese, pasi të akuzuarit të dëgjohen nga një gjykatës.

Puigdemont dhe anëtarët e tjerë të qeverisë tashmë të shkarkuar, thotë prokuori, “kanë shkaktuar një krizë institucionale që është mbyllur me deklaratën e njëanshme të pavarësisë në përçmimin total të Kushtetutës sonë”.

Kërkesa për procedim penal ndaj Puigdemont, hap derën e një arresti të mundshëm si masë shtrënguese shkruan shtypi katalanas, “në konsideratë të fakteve të rënda dhe të veprave penale të kryera”.

Kërkesa është e lidhur me akuzat për “rebelim, mosbindje dhe diversion”, që parashikojnë burg deri në 30 vjet, për deklaratën e shpalljes së pavarësisë të votuar të premten.

Ndërkohë mësohet se ish-guvernatori dhe bashkëpunëtorët e tij ndodhen në Bruksel sipas mediave spanjolle.

30 tetor 2017 (Shqip)