Qeveria spanjolle e ka zhveshur Katalonjën nga autonomia dhe ka marrë në duar qeverisjen e saj. Masat e marra mëngjesin e të shtunës, erdhën pasi parlamenti katalan votoi për të shpallur pavarësinë të premten.

Një buletin zyrtar shtetëror, shkarkoi liderët katalanë dhe ia dha kontrollin e rajonit zëvendëskryeministres spanjolle, Soraja Saenz de Santamaria. Më herët, ministria e Brendshme spanjolle mori në kontroll policinë e Katalonjës pasi shkarkoi zyrtarët e lartë katalanë të saj. Një ditë më parë, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy lajmëroi shkrirjen e parlamentit rajonal dhe shkarkimin e liderit katalan, si edhe shpalli zgjedhjet e parakohshme lokale.

Demonstrime pro dhe kundër pavarësisë janë mbajtur gjatë gjithë natës ndërkohë me të tjera që priten gjatë të shtunës. ndërsa në Madrid është lajmëruar një tubim i madh për unitetin e Spanjës dhe kushtetutën.

Mocioni për shpalljen e pavarësisë u miratua të premten me 70 vota pro, 10 kundër dhe dy abstenime në parlamentin katalan me 135 vende. Puigdemont ndërkohë i ka kërkuar mbështetësve të përjetojnë momentin në mënyrë paqësore.

Separatistët thonë se tani katalonja nuk është më nën juridiksionin spanjoll. Por, gjykata kushtetuese spanjolle ka gjasa ta shpallë pavarësinë të paligjshme, ndërsa BE, SHBA, Britania e madhe, Gjermania dhe Francë, kanë shprehur mbështetje për unitetin e Spanjës. Ndërkohë, prokurorët spanjollë thonë se do të ngrenë akuza për rebelim kundër Puigdemont, javën e ardhshme.

28 tetor 2017 (Shqip)