Ish-guvernatori i Katalonjës, Carles Puigdemont, është dorëzuar në policinë belge së bashku me avokatin e tij. Lideri katalanas dhe katër ish-ministra të qeverisë së tij, kanë hyrë në komisariatin e policisë federale të vendit dhe jo në Prokurori, ku pritej që të paraqiteshin. Me ish-presidentin, janë edhe Antoni Comìn, Clara Ponsatì, Lluís Puig e Meritxell Serret.

Pas këtij hapi, Prokuroria e Belgjikës pritet të arrestojë ish-presidentin katalanas dhe bashkëpunëtorët e tij, para se të lejojë një gjykatës që të vendosë mbi mandat-arrestin evropian të caktuar nga drejtësia spanjolle.

Lajmi bëhet i ditur nga burime të ministrisë për Çështjet Publike të Belgjikës, duke saktësuar që arrestimet do të kryen “në orët e ardhshme”.

Ish-anëtarët e të ashtuquajturës “Govern” ndodhen në Belgjikë pasi kanë lënë Katalonjën, e cila tashmë drejtohet 100% nga Madridi.

“Për t’iu dorëzuar një gjykatësi, personat e kërkuar duhet të privohen nga liria”, – ka shpjeguar zëdhënësi i Prokurorisë belge, Gilles Dejemeppes.

Prokuroria federale i ka transferuar mandatet evropiane tek ajo e Brukselit të shtunën në mbrëmje, sepse “ka shumë mundësi” që ata të ndodhen në Bruksel.

“Nga momenti kur do të arrestohen, mund të dalin para një gjykatësi”, – shtoi Prokuroria, duke kujtuar se është në kontakt me avokatët e Puigdemont, Antoni Comín, Clara Ponsatí, Lluís Puig e Meritxell Serret.

Pasi të arrestuarit të dalin para një gjykatësi, ky i fundit do të ketë 24 orë kohë për të vendosur nëse do të vijojë ose jo me mandat-arrestin evropian. Nëse gjykatësi do të procedojë, atëherë çështja “do t’i kalojë Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila duhet ë vendosë brenda 15 ditësh”, mbi ekzekutimin e vendimit.

Vendimet do të paraqiten edhe në Apel, nga palët në çështje, por edhe në këtë rast janë parashikuar 15 ditë për një vendim të gjykatësit. Në teori, edhe pas arrestimit, procedimi mund të zgjasë nga 60 në 90 ditë, siç kishin shpjeguar autoritetet belge.

5 nëntor 2017 (Shqip)