Grupi militant Shteti Islamik, pretendon se Sayfullo Saipov, emigranti 29 vjeçar nga Uzbekistani i akuzuar për vra sjen e tetë vetave në New York më herët gjatë kësaj jave, është ushtar i tij.

Grupi tha në javoren e tij, Al-Naba, se sulmuesi ishte një nga ‘ushtarët’ e tij, por nuk dha ndonjë dëshmi për të mbështetur pretendimet.

Saipov, që erdhi në Shtetet e Bashkuara në rrugë ligjore nëpërmjet programit të Lotarisë së Diversitetit, përballet me një varg akuzash për terrorizëm në lidhje me sulmin me makinë në një shteg çiklistësh të martën në New York. Pos tetë të vrarëve, sulmi la pas vetes edhe një duzinë të të plagosurve.

Saipov u plagos nga një oficer policie dhe u dërgua në spital. Zyrtarët e spitalit thanë se ai deklaroi lidhjet me ISIS-in dhe kërkoi një flamur të tij në dhomën e spitalit. Kërkesa e tij u refuzua.

Presidenti i Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, tha të mërkurën se sulmi ishte mizor dhe se qeveria e tij është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet për të ndihmuar hetimet.

Zyrtarët thanë se metoda e Saipovit për të përdorur makinën e marrë me qira, është e ngjashme me sulmet me automjete të frymëzuara nga ISIS-i në vendet tjera perëndimore në vitet e fundit. Grupi kërkimor, New America, tha se 15 sulme me makina janë kryer që nga viti 2014 duke vrarë me shumë se 140 veta.

3 nëntor 2017 (Shqip)