Sulmi i ndodhur në një kishë baptiste në Sutherland Springs në shtetin Teksas, cilësohet si më masivi dhe vdekjeprurësi në historinë e këtij shteti. Agjencitë e lajmeve dhe rrjetet televizive, përfshirë Associated Press, CBS dhe CNN, kanë raportuar se sulmuesi është identifikuar me emrin, Devin Patrick Kelley, 26-vjeçar. Një zyrtar tha se ai jetonte në San Antonio dhe duket se nuk ishte i lidhur me ndonjë grup të organizuar terro rist.

Kelley mësohet të jetë shkarkuar nga forcat ajrore në vitin 2014, pasi përfundoi në mesin e një gjyqi ushtarak për agresion ndaj të shoqes dhe fëmijës së tij. Sulmuesi më vonë ishte gjetur i vrarë në automobilin e tij nga plagët e pësuara, pasi ishte ndjekur nga pjesëtarët e agjencive të zbatimit të ligjit. 26-vjeçari, sipas autoriteteve të Departamentit të Sigurisë Publike, ishte i veshur i gjithi me të zeza dhe mbante në trup një jelek antiplumb.

Ai fillimisht hapi zjarr me një pushkë gjysmë-automatike në ambientet përpara kishës e më pas hyri brenda. Në kohën kur po largohej prej andej, një qytetar i zonës rrëmbeu armën e tij dhe nisi të qëllonte mbi të dyshuarin, që e hodhi pushkën e u largua me makinë. Shtypi tregon se qytetari ka vazhduar ta ndjekë agresorin që më pas doli nga rruga dhe e përplasi automjetin ku policia e gjeti më pas të vde kur. Nuk është e qartë megjithatë nëse i riu është vetëvrarë apo ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga plumbat e qytetarit lokal. Kelley kishte qenë gjithashtu një mësues i studimit të shkrimeve të Biblës, por faqja e tij në Facebook tregon gjithashtu një adhurim të frikshëm të tij për armët.

Zyrtarët kanë thënë se 23 persona të vrarë ishin gjetur brenda kishës, dy jashtë saj dhe një person i plagosur ishte dërguar në spital, por më vonë kishte vde kur. Viktimat e ngjarjes që tronditi qytezën e vogël të kontesë Uillson janë të moshave 5 deri në 72 vjeç. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë turneut të tij në Azi, e ka dënuar fuqishëm këtë sulm, duke e quajtur “të tmerrshëm” dhe “akt djallëzor”.

5 nëntor 2017 (Shqip)