Bie koka e paarë pas skandalit të ngacmimeve seksuale që ka përfshirë Britaninë e Madhe në qeverinë e drejtuar nga konservatorja Theresa May.

Bëhet fjalë për Sekretarin e Mbrojtjes, Michaael Fallon, eksponent i moderuar i çështjes “Brexit”, por edhe një njeri i fortë i vlerësuar nga ushtarakët mbi temat e sigurisë dhe aleat i besuar NATO-s, i cili ka dhënë dorëheqjen,

Akuzat për sjellje të pahijshme në të kaluarën e kanë detyruar edhe Sekretarin britanik të Mbrojtjes, të marrë vendimin e pakthyeshëm.

Por në këtë rast, nuk janë të tjerët që kanë vënë në dukje sjelljen e pahijshme të tij, por vet shefi i dikasterit të Mbrojtjes, i cili mban edhe titullin “Sir”, duke shpjeguar se në ndonjë rast sjellja e tij mund të ketë qenë nën standardet e kërkuara nga ushtria britanike, e për këtë arsye i jep të drejtë Parlamentit që po e merrte seriozisht këtë çështje.

Sipas asaj që deklaron BBC, vendimi i tij nuk është i lidhur me ndonjë pretendim të ri, apo pretendim specifik.

Ndërkohë, i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryeministres britanike, e cila vlerësoi “seriozitetin” me të cilin Sir Michael kishte konsideruar rolin e tij në kabinetin qeverisës. Theresa May tha se vlerësonte gjithashtu edhe “shembullin e veçantë që ai kërkonte të tregonte ndaj ushtarakëve, grave dhe të tjerëve”.

1 nëntor 2017 (Shqip)