Presidenti Donald Trump i bëri thirrje Kongresit që t’i japë fund programit të lotarisë amerikane. Ai i bëri komentet pasi tha në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.

“Po filloj sot procesin e eliminimit të Programit të Lotarisë Amerikane. Do t’i kërkoj Kongresit që të fillojë menjëherë punën për t’i dhënë fund këtij programi, Lotaria e Diversitetit tingëllon mirë, por nuk është diçka e mirë. Nuk ka qenë diçka e mirë. Ne kemi qenë kundër”, tha zoti Trump.

Presidenti Donald Trump bëri thirrje për masa imigracioni, mbështetur në një sistem meritash, pasi shkruajti në Twitter se autori uzbek i sulmit të djeshëm në Nju Jork, kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një vizë imigracioni të njohur si lotaria amerikane.

“Ne do t’i japim fund kësaj çmendurie”, u shpreh presidenti, i cili ia atribuoi ekzistencën e programit të Departamentit të Shtetit për llotarinë amerikane, kreut të demokratëve në Senat, Chuck Schumer.

Senatori Schumer luajti një rol të rëndësishëm në hartimin e legjislacionit për programin në vitet 1990. Ai tha të martën me anë të një deklarate, se “gjithmonë kishte besuar dhe vazhdonte të besonte se imigracioni është diçka e mirë për Amerikën”, duke propozuar që zoti Trump të përqendrohej në një “zgjidhje reale” për financimin kundër terrorizmit.

Megjithëse zoti Trump ia atribuoi programin senatorit Schumer, kreu i pakicës në Senat ishte anëtar i një grupi dypartiak me tetë ligjvënës që në vitin 2013, hartuan një paketë Gjithëpërfshirëse Reformash Imigracioni që do ta eliminonte krejtësisht lotarinë amerikane. Projekt-ligji u miratua nga Senati por nuk u votua nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe si rezultat skadoi.

1 nëntor 2017 (Shqip)