Presidenti Donald Trump, “për disa arsye duket i intimiduar nga Putin, i frikësuar nga ajo që mund të thotë ose që mund të dalë nga hetimet” e çështjes “Russiagate”.

Kështu është shprehur ish-numri një i CIA-s, John Brennan, duke nënvizuar se sjellja e miliarderit “i tregon presidentit rus që mund të jetë i ndikuar nëse ngacmon egon e tij dhe cenon pasiguritë e tij. Kjo është shumë e pafalshme, do të ishte një rrezik për SHBA-të”.

Vet Trump u tregua mjaft kontradiktor në komentet e tij, pasi tha se i beson Putinit, e më pas se mbështet agjencitë e Inteligjencës amerikane. Kjo, sipas James Clapper tregon dobësi përpara udhëheqësve të fuqive rivale.

“Mendoj se Trump ndikohet shumë kur i nxjerrin tapetin e kuq dhe i bëjnë nderime të ngjashme. Kjo e tërheq, por vë në dukje pasiguritë e tij. Unë mendoj se kinezët dhe rusët mund t’ia hedhin Trumpit”, deklaroi ish-shefi i Inteligjencës Kombëtare, Clapper. Zyrtarë të administratës “Trump” i cilësuan këto kritika qesharake dhe thanë se askush nuk po ia hedh presidentit amerikan.

12 nëntor 2017 (Shqip)