Siria është shteti më i fundit që është bërë pjesë e marrëveshjes së Parisit për Klimën. Ky aderim ndodhi pak muaji pasi presidenti Trump vendosi tërheqjen e SHBA nga kjo marrëveshje që ka për qëllim të luftojë ngrohjen globale.

Mungonte vetëm një “po” nga Siria dhe në fund, në mënyrë të papritur ka ardhur. Damasku në fakt, kishme mbetur jashtë marrëveshjes së Parisit për Klimën që në 2015-n e cila u firmos nga 195 vende, mes tyre edhe Shqipëria. Në atë kohë mungonte dhe Nikaragua, shtet i cili aderoi në verën e 2017.

Ndërsa në të njëjtën kohë SHBA me në krye presidentin Donald Trump bëri një hap prapa duke tërhequr nënshkrimin që kishte dhënë Barak Obama në kryeqytetin francez. Lëvizja e Bashar Al-Assad, e njoftuar nga delegatët e tij në OKB, vendosë Uashingtonin në një pozitë izolimi sa i përket temës së mbrojtjes së mjedisit.

Anëtarësimi i Damaskut është konfirmuar edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara në një konferencë për klimën në Bon të Gjermanisë. Marrëveshja e Parisit për Klimën ka për qëllim të luftojë ngrohjen globale dhe SHBA është vendi i vetëm që ka kundërshtuar akordin historik.

Në qershor të këtij viti, Trump njoftoi tërheqjen nga dokumenti i nënshkruar nga 195 vende duke thënë se nuk ishte marrëveshje e drejtë për Amerikën. Kreu i Shtëpisë së Bardhë ka tentuar t’a rinegociojë marrëveshjen, por kjo është kundërshtuar nga hartuesit të akordit të klimës.

8 nëntor 2017 (Shqip)