Turqia i ka hedhur poshtë si “qesharake dhe të pabaza” akuzat se zyrtarët e këtij vendi ndoshta kanë diskutuar për planin për të arrestuar kleriun Fethullah Gulen, që jeton në Shtetet e Bashkuara, dhe për ta dorëzuar në Ankara në këmbim për miliona dollarë.

Ambasada e Turqisë në Uashington në deklaratën e sotme, e ka përsëritur kërkesën e Turqisë që Shtetet e Bashkuara ta ekstradojnë Gulenin, por tha se Turqia nuk do të operojë në mënyrë jashtëligjore për ta arritur këtë qëllim.

Kjo deklaratë u bë pas raporteve në mediat amerikane se këshilltari special amerikan, Robert Mueller, është duke e hetuar komplotin sipas të cilit, ish-këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Michael Flynn, dhe djali i tij, do t’i kishin marrë më tepër se 15 milionë dollarë, për ta kapur Gulenin dhe për t’ia dorëzuar atë qeverisë së Turqisë. Ankaraja e akuzon klerikun Gulen, i cili ka azil në Shtetet e Bashkuara, se e ka nxitur përpjekjen për puç kundër presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në korrik të vitit 2016. Gulen i ka hedhur poshtë të gjitha akuzat.

12 nëntor 2017 (Shqip)