Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut do të prezantohen së bashku në ceremoninë e hapjes së Lojërave Dimërore që do të mbahen në Pyeongchang muajin e ardhshëm.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ratifikoi atë që u vendos në takimin e zhvilluar mes delegacioneve të këtyre vendeve dhe e konfirmoi nëpërmjet një komunikate për shtyp.

Në këtë komunikatë IOC bëri të ditur se delegacionet e dy Koreve do të shfaqen nën flamurin e Koresë së Bashkuar. Vendimi u mor pas një takimi të zhvilluar mes përfaqësuesve të IOC me delegacionet e dy vendeve dhe Komitetin Organizativ të Lojërave Dimërore. Por jo vetëm kaq, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar bëri të ditur së ne ngjarjen më të rëndësishme të sporteve dimërore, do të marrin pjesë 22 sportistë nga Koreja e Veriut që do të garojnë në 5 disiplina të ndryshme sportive.

‘Ne shpresojmë që me Lojërat Olimpike të Pyeongchang të hapen dyert e një të ardhme të ndritur për gadishullin korean-ishin fjalët e para që tha presidenti i IOC Tomas Bah pas përfundimit të këtij takimi.

Ndërkaq, autoritetet koreanoveriore bënë të ditur se ditën e diel një delegacion do të udhëtojë drejt Koresë së Jugut për të vëzhguar zonat e Seulit dhe Gangnueng ku do të japin shfaqjen e tyre grupe artistësh prej 250 personash, pjesë e akordit të arritur për pjesëmarrjen e Koresë së Veriut në Pyeongchang 2018.

20 janar 2018 (Shqip)