Raportimet nga Lindja thonë se forcat pro-qeveritare siriane kanë hyrë në enklavën e kufirit të ruajtur nga kurdët e Afrin, duke çuar në nivelin më të lartë rrezikun e përplasjeve ushtarake me Turqinë.

Ndërhyrja e tyre vjen një ditë pasi agjensia shtetërore e lajmeve të Sirisë tha se “Forcat Popullore” do të dërgoheshin atje për të kundërshtuar “sulmin e regjimit turk”.

Turqia dhe rebelët pro-turq kanë luftuar kundër milicisë kurde në Afrin për rreth një muaj dhe ishte vetë presidenti Erdogan që paralajmëroi forcat siriane, për përballje të armatosur nëse ndërhynin në mbështetje të kurdëve.

Televizioni shtetëror sirian tregoi fotografitë e paraushtarakëve pro-qeveritarë që po përgatiteshin të hynin sot në Afrin. Mediat pro-qeveritare Hezbollah dhe agjencia e lajmeve siriane kurde Anha thanë se milicia e “Forcave Popullore” kishte kaluar në enklavat e kurdëve.

Nuk është ende e qartë se sa luftëtarë kanë lëvizur ose ku do të vendosen. Ndërkohë presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha të martën se ushtria turke do të rrethonte qendrën e qytetit Afrin të Sirisë në ditët në vijim.

Duke ju drejtuar grupit parlamentar të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK), Erdogan tha se Turqia hyri në rajonin Afrin të Sirisë “për ta bërë rajonin të jetueshëm dhe të sigurt”.

Presidenti tha se siguria “e qëndrueshme” e rajonit ishte e një rëndësie “maksimale” për Turqinë.

“Qendra e qytetit Afrin do të rrethohet në ditët e ardhshme. Kështu që ndihma e jashtme që vjen në qytet dhe në rajon do të marrë fund”, tha ai.

Erdogan theksoi se Turqia do t’i bënte të qarta për të gjithë, referuar indirekt SHBA-ve, linjat e saj të kuqe.

20 shkurt 2018 (gazeta-Shqip.com)