Sikur të mos mjaftonin kritikat me sfond politik, për takimin mes Donald Trump dhe Vladimir Putin ne Helsinki është hapur një tjetër temë e nxehtë debati.

Putin i dhuroi homologut amerikan një top futbolli Telstar 18, të kampionatit botëror. Fillimisht Bloomberg dhe CNN ngritën polemika për mundësinë e ekzistencës së formave të spiunazhit brenda topit të futbollit dhe më pas senatori amerikan, Lindsey Graham, ngriti shqetësime në Twitter se topi mund të jetë pajisur me një “pajisje dëgjimi” të paligjshme për të regjistruar biseda në Shtëpinë e Bardhë.

“Nëse do të isha unë, do ta kontrolloja topin e futbollit për pajisjet e përgjimit dhe nuk do ta lejoja kurrë atë në Shtëpinë e Bardhë”, shkruante Graham.

Skepticizmi i madh i senatorit Graham ishte i justifikuar – pjesërisht. Ky top në fakt përmban një chip trasmetues të padukshëm në logon e tij. Megjithatë, lidhja është më afër James Rodriguez se James Bond, pasi ky chip në të vërtetë është një teknologji që Adidasi e ka përdorur për të shpërndarë informacione sportive për përdorimin e topit, informacione rreth produktit dhe rreth Botërorit.

Nëpërmjet një komunikate për shtyp, shërbimi sekret amerikan thekson se: “Çdo dhuratë që i jepet presidentit, është subjekt i një kontrolli sigurie. Shërbimi sekret nuk komenton as specifikisht dhe as përgjithësisht rreth përmbajtjes apo mënyrës së zgjedhur, për përgjegjësitë tona të ruajtjes”.

Shtëpia e Bardhë ndërkohë nuk ka reaguar aspak për çështjen e topit. Nga ana tjetër është e paqartë nëse topi që Putin i dhuroi Trumpit, e përmbante këtë chip apo jo, por edhe nëse e mbante, sigurisht që nuk do të thotë se mund të jetë një rrezik për sigurinë.

Sipas faqes zyrtare të Adidas, teknologjia komunikon nëpërmjet smartfonëve apo tabletëve që kanë të inkoorportuar një mënyrë komunikimi shumë të përdorur tashmë, të quajtur NFC (Near Field Communication).

Kompania e përshkruan këtë gjë si një mënyrë komunikimi që dy pajisjet të shkëmbejnë informacion në momentin e kontaktit fizik me njëra tjetrën. Skot Shober një ekspert i sigurisë kibernetike ka theksuar në një intervistë se çdo dhuratë ndaj presidentit kalon në kontrolle të rrepta sigurie, për të evituar përdorimin e tyre për ndonjë spiunazh të mundshëm.

“Kjo teknologji e re që ndodhet në çdo smartfon tashmë është një metodë që përdoret për të kryer pagesa nëpër dyqane. Funksionon duke afruar telefonin me një pajisje tjetër, me disa centimetra. Kështu që mund të them se nëse dikush mund të ketë patur ndonjë qëllim dashakeq me këtë gjë, mund të konfirmoj se ka zgjedhur teknologjinë e gabuar”, deklaroi eksperti.

26 korrik 2018 (gazeta-Shqip.com)