“Nuk do të dëbojmë asnjë nga Italia që sot e deri më tutje, por do ta bëjmë më efikas sistemin e riatdhesimeve”.

Kështu është shprehur kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, duke prezantuar dekretin mbi emigrantët dhe sigurinë. “Nuk do të tërhiqemi prapa mbi planin e garancive dhe të drejtave themelore të njeriut, por do të vendosim rregull në një sistem që në Itali ka prodhuar dhe ka nxjerrë në plan të dytë pritjen e indiskriminuar”, – shtoi kryeministri.

Qeveria Italiane ka miratuar sot “Dekretin Salvini” i cili sjell ndryshime radikale legjislative në sistemin e emigracionit në Itali, nënshtetësisë dhe në atë të sigurisë kombëtare.

Sipas minsitrit të Brendshëm italian Salvini kjo normativë e re ligjore që gjatë orëve të ardhshme pritet të ekzaminohet në Parlamentin Italian, garanton një siguri më të madhe të territorit italian e do t’i jap një goditje të fortë krimit të organizuar, mafias, emigracionit klandestinë, në mënyrë të veçantë rrezikut nga terrorizmi. Do të punësohen 10 mijë forca të reja të rendit e do të hapen 4 drejtori të reja Antimafia.

Dekreti Salvini përmban 15 nene të ndarë në 5 kapituj ku tre të parët mbulojnë normativën e emigracionit e nënshtetësisë, kapitulli i 4 ka të bëjë me dispozitat gjyqësor, ndërsa kapitulli i fundit me treguesit financiarë.

Neni i parë dhe më i kritikuar i këtij dekreti vendos heqjen e së drejtës së azilit për motive humanitare. Në vend të saj do të lejohet dhënia e një leje qëndrimi të veçantë vetëm për viktimat e dhunës në familje, viktima të rasteve të rënda të shfrytëzimit në punë, personave që vijnë nga vende të përfshira përkohësisht nga një fatkeqësi natyrore e për persona që kanë nevojë urgjente për kura mjekësore.

Nuk do të kenë të drejtën e azilit politik të gjitha ata emigrantë që kryejnë krime penale e do të rishikohet e drejta e nënshtetësisë për të gjitha ata emigrantë që kanë marrë shtetësinë italiane e kanë probleme me drejtësinë.

Azilkërkuesit që janë dënuar në shkallë të parë apo konsiderohen me rrezik për sigurinë sociale do t’u ndërpritet kërkesa e statusit të tyre.

Ndryshim do të ketë dhe kohëzgjatja deri në riatdhesim, i qëndrimit në kampe të emigrantëve klandestinë. Nëse deri më sot detyrimi i qëndrimit në këto kampe është 90 ditë, me dekretin Salvini afati i detyrimit të qëndrimit të tyre deri në riatdhesim bëhet 180 ditë.

Dekreti Salvini parashikon heqjen e statusit të refugjatit për të gjitha ata emigrantë që kryejnë vepra penale si dhunë seksuale, prodhim e trafik droge, grabitje e dhunim të pronës private, rezistencë e dhunë ndaj forcave të rendit.

Ky dekret parashikon ndryshime dhe në normativën e së drejtës së marrjes së nënshtetësisë italiane. Për pasardhësit e emigrantëve italianë jashtë territorit të vendit, e drejta e nënshtetësisë bëhet subjekt i disa kufizimeve , gjithashtu zgjerohen kushtet e të gjithë atyre që kërkojnë nënshtetësi italiane për motive martese apo për vendbanim.

Sipas ministrit të brendshëm italian, aplikimi i këtyre noramve të reja në sistemin e emigracionit do t’i sjell shtetit italian një kursim prej 1.5 miliardë euro.

24 shtator 2018 (gazeta-Shqip.com)