Aplikacioni i kompanisë Google, i quajtur “Waze”, është i njohur për ofrimin e të dhënave për pengesat e ndryshme në rrugë.

Sidoqoftë, një veçori e këtij aplikacioni ka shkaktuar konflikt me zyrtarët për sundimin e ligjit, sepse ata po e kundërshtojnë mënyrën se si ky aplikacion e tregon vendndodhjen e pikave të kontrollit nëpër rrugë.

Departamenti i Policisë së Nju Jorkut ia ka dërguar një letër kompanisë “Google” dhe ka kërkuar që të largohet kjo veçori nga aplikacioni “Waze”.

Në këtë letër, policia e Nju Jorkut ka thënë se tregimi i vendndodhjes së pikave të kontrollit po e vështirëson aftësinë e tyre për t’i mbajtur rrugët të sigurta.

“Publikimi i të dhënave të tilla për konsum publik është veprim i papërgjegjshëm, sepse u shërben vetëm vozitësve të dehur që t’iu shmangen pikave policore të kontrollit dhe në këtë mënyrë të nxitet vozitja e rrezikshme”, thuhet në letrën e policisë.

“Tregimi i vendndodhjes së pikave të kontrollit i vë në rrezik vozitës, udhëtarët dhe publikun e përgjithshëm”, shkruhet më tej në këtë letër.

Sidoqoftë, zyrtarët e kompanisë “Google” thanë se siguria është prioritet kryesor i tyre dhe se informimi i vozitësve për pikat e kontrollit të shpejtësisë ua mundëson atyre që të jenë më të kujdesshëm dhe të marrin vendime më të sigurta kur ndodhen në rrugë, shkruan “New York Times”.