Edhe nëse ndonjë parti ju ofron miliona, mos pranoni të përfshiheni në parregullsi zgjedhore në rrethin e dytë, sepse shumë lehtë mund të përfundoni në burg dhe të dënoheni deri më 5 vite arrest. Një ushtri e vërtetë e të rinjve shqiptarë është bë gati të monitorojë zgjedhjet dhe të incizojë manipulimet dhe vjedhjet eventuale që do të bëhen në raundin e dytë. Një pjesë e tyre, përveç me celularë, janë të pajisur edhe me kamera të fshehta. Ata janë përgatitur të incizojnë aktivistët partiakë që do të dalin nëpër fshatra dhe nëpër lagje për të blerë vota për partinë e tyre. Poashtu janë të trajnuar nga organizata ndërkombëtare për monitorim të zgjedhjeve se si të sillen në atë situatë, respektivisht do t’i marin paratë që u ofrohen nga aktivistët e partisë, për të mos krijuar dyshim se janë duke incizuar. Ata janë të trajnuar edhe si duhet të lavdërojnë partinë e cila u ofron paratë dhe të shajnë partitë tjera, vetëm e vetëm që të bëhen më bindës para aktivistëve partiakë që shpërndajnë të holla, shkruan Gazeta Lajm.

Pjesë e kësaj ushtrie të madhe mund të bëheni edhe ju duke incizuar ndonjë parregullsi ose tentim për vjedhje eventuale. Mjafton që pastaj atë incizim ta postoni në youtube, që policia t’i arrestojë autorët e manipulimeve, të cilët më pas i pret dënim prej 3 deri në 5 vite.

Në rrethin e parë veçmë është incizuar një profesor me diplomë të rrejshme, duke kërcënuar një qytetar të Strugës se do t’ia marrë paratë që ia ka dhënë, për shkak se qytetari nuk ia ka dhënë votën partisë së tij edhe pse i ka marrë paratë.

Të gjitha parregullsitë pastaj do të regjistrohen edhe në raportin e OSBE-së për zgjedhjet lokale, raport i cili ende nuk është mbyllur.