Pas 10 viteve qeverisje të Partisë Demokratike të Kosovës, Komuna e Prizrenit do të shkojë në balotazh. Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje e Shaqir Totaj nga PDK do të përballen në balotazh më 19 nëntor. Më 22 tetor, Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit si partia e tretë në Prizren me 19 për qind të votave. Përkrahja e kësaj partie për cilindo nga kandidatët do të mund të ishte vendimtare në balotazh. Në një intervistë për Periskopin, kandidati i LDK’së për kryetar Prizreni, Hatim Baxhaku tregon se a ka pasur bisedime me strukturat e partisë se cilin kandidat do ta përkrahin.

Ai ka thënë se si individ përkrahë ndryshimin në Prizren, teksa kritikon qasjen e PDK’së, të cilën e cilëson si shkatërrimtare.

Baxhaku i ka thënë Periskopit se aktualisht po presin certifikimin e rezultateve nga KQZ, ndërsa më pas do të diskutojë me strukturat e partisë se si do të veprojë në balotazh.

“Po presim certifikimin e rezultateve nga KQZ dhe më pas do të ulemi me strukturat e partisë dhe do të diskutojmë se si do të veprojmë në balotazh”, i ka thënë Baxhaku Periskopi.

Ai bëri të ditur se deri më tani nuk është zhvilluar ndonjë takim me strukturat e partisë, teksa tregon se haptas se ai personalisht përkrahë kandidatin e Vetëvendosjes, Mytaher Haskukën.

“Asnjë takim nuk e kemi pasur deri më tani me strukturat lidhur me balotazhin dhe atë se si do të veprojmë. Në fakt është diskutuar se cilat janë pasojat e cilat janë shkaqet e këtij rezultati, por jo për balotazh. Qytetarët dhe unë jemi për ndryshim sepse kjo qeverisje nuk bën me vazhdu në Prizren, sepse është shkatërrimtare dhe e dëmshme për Prizrenin. Unë jam deklaruar edhe haptas se e përkrah ndryshimin dhe jam për kandidatin e Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka, por gjithçka varet prej strukturave. Ky është vetëm mendim personal”, ka thënë tutje Baxhaku për Periskopin.