Në një intervistë dhënë për televizionin maqedonas sonte(e diel) në “Kanal 5”, shkrimtari Kim Mehmeti ka thënë se zgjedhjet e porsapërfunduara vendore kanë dëshmuar se Maqedonia ishte dhe ka mbetur pronë e
partive në pushtet, e jo e qytetarëve dhe se, edhe Zaevi sot, njësoj si Gruevski deri dje, interesin e shtetit e barazon me atë të partisë që ai drejton, LSDM’së. Sipas tij, edhe në këtë zgjedhje, partitë në pushtet – LSDM’ja dhe BDI’ja – kishin në duar tërë potencialin shtetërorë për t’i luftuar partitë opozitare, raporton Almakos.

“Sido që të përfundojnë këto zgjedhje vendore, partitë opozitare shqiptare, ia kanë për borxh popullit që fuqishëm ta ngrenë zërin kundër LSDM-së, e cila e ndihmuar nga dega e deridjeshme shqiptare e VMRODPMNE’së – BDI’ja, e të cilën sot e ka nën kontroll Zaevi, është duke e kriminalizuar shoqërinë shqiptare në Maqedoni. Partitë opozitare shqiptare gjithashtu duhet t’i tregojnë drejtuesit të LSDM’së se, nëse shteti multietnik u ndërtuake nëpërmjet nëntokës dhe krimit shumetnik, atëherë Zaevi mirë bënë që është duke e përmbyllur procesin vëllazërues të grupeve shumetnike krimogjene dhe partiake”, ka thënë Kim Mehmeti.

Shkrimtari ynë Kim Mehmeti ka pohuar se kryetari i LSDM’së është në të drejtën e tij të besojë se shqiptarë të vetëm shtet formues janë “sejdo bajramoviqat” e tij, por ne të tjerët duhet t’i dëshmojmë se i njohim vlerat tona të vërteta, e të cilat nuk mund të na i përcaktojnë as ‘gruevistët’ as ‘zaevistët’.

Të cilët jo njëherë, thotë Kim Mhemeti, kanë treguar se më shumë e parapëlqejnë hajdutin shqiptarët në krye të komunës, se sa të ndërgjegjshmin dhe të përgjegjshmin./Almakos.com