Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të djeshme lokale duke shtuar se ky rezultat në përgjithësi ka qenë i pritshëm.

Sejdiu tha se ky rezultat ka ardhur në përputhje me shtrirjen e kuadrove dhe përzgjedhjen e kuadrove që partitë kanë bërë në komunat ku ka aktivitet politik.

”Rezultati i zgjedhjeve lokale në përgjithësi besoj se është ai që ka qenë i pritshëm. Nuk është se kam bërë ndonjë kalkulim paraprak lidhur me shumë komuna, mirëpo, besoj se rezultati në pjesën dërmuese të komunave ka qenë i pritshëm dhe jo edhe aq befasues.”, tha ai, duke shtuar se në zgjedhje lokale shumë figura kombëtare të partive politike kufizohen për të siguruar vota për partinë në komunën specifike nga vijnë.

Duke komentuar partinë e cila në zgjedhjet lokale të këtij viti ka siguruar më së shumti vota, duke marrë primatin e partisë së parë në vend, LDK-në, Sejdiu shtoi se LDK ka treguar rezultat të kënaqshëm në këto zgjedhje, mirëpo fuqia e saj e vërtetë politike do të shihet vetëm pasi që të kryhen edhe balotazhet në komunat ku ajo garon.

”Sipas të dhënave preliminare, në përgjithësi duket se LDK ka treguar një rezultat të kënaqshëm sidomos në prezencën në asamble komunale, edhe pse mbetet të vlerësohet në tërësi pasi të kryhen edhe balotazhet në komunat ku LDK është në balotazh për kryetar komunash sepse vetëm atëherë shihet fuqia e vërtetë politike e saj në nivel lokal.’, pohoi deputeti Sejdiu.

Ndërsa, në anën tjetër për numrin e vendeve që shkojnë në balotazh ai ka thënë se rezultatet e këtyre komunave varen nga shumë faktorë, përfshirë edhe koalicionet.

”Është vështirë të parashihen rezultatet në balotazh, sepse varen nga shumë faktorë, përfshirë koalicionet e mundshme në mes të partive, por edhe dëgjueshmërinë që elektorati tregon ndaj udhëzimeve që struktura partiake ua jep lidhur me votimin në balotazh.”, tha ai. Mirëpo, ai nuk beson që do të ketë befasi të mëdha edhe pas balotazhit.

Në fund, duke folur për garën në Prishtinë, Sejdiu tha se është pritur që do të ketë balotazh. Ai mendon që të dyja partitë do të mobilizohen fuqishëm që të fitojnë këtë garë.

”Për dikë që është vazhdimisht në terren dhe jeton në Prishtinë, nuk ka qenë rezultat befasues. Është pritur se do të jetë afër, dmth, sa i përket asaj se a do të ketë balotazh apo jo. Dhe ashtu edhe doli. vetëm që si duket do të ketë balotazh. Unë nuk mund ta prejudikoj rezultatin, por e di se që te dyja partitë do te mobilizohen fuqishëm edhe në strukturë por edhe elektorat, me qëllim që njëra ta mbajë qeverisjen, ndërsa tjetra ta rikthejë. Pavarësisht nga rezultati, unë shpresoj që kushdo që fiton garën, të sigurohet që të formojë koalicion me shumicë votash në Kuvend Komunal, sepse vetëm në atë mënyre mund të garantoje qeverisje efikase dhe realizim të projekteve të caktuara.”, tha deputeti për Blic.

Nëse kjo nuk ndodh, sipas tij do të vazhdohet me bllokadë në Kuvend Komunal dhe në këtë mënyrë do të dëmtohet qyteti i Prishtinës.

© ZËRI.INFO