Rreth katër vjet më vonë raportimet e Gazeta Express për përfshirje të Enver Hasanit, “Babës”, në korrupsion u konfirmuan me vulë shteti. Gjykata i dënoi me burg, ani pse me kusht, Hasanin në cilësinë e ish-rektorit të UP-së, Hakif Veliu, ish-shef i Zyrës së Prokurimit në UP dhe Albert Rakipi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare. Ata duhet t’ia kthejnë paratë që me korrupsion ia morën UP-së, së paku 70 mijë euro.

Në fund të vitit 2013, Gazeta Express kishte nisur e para raportimin për hetimet, atëherë preliminare, që po zhvilloheshin kundër ish-Rektorit të Universitetit publik të Prishtinës (UP). Enver Hasani, i njohur edhe veç si “Baba”, atë kohë po e mbante pozitën e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, pozitë prej së cilës kishe rrëzuar edhe dy presidentë të vendit.

Hasani pati paralajmëruar padi kundër Express-it, ndërsa nëpër emisione televizive betohej se ndaj tij kurrë s’mund të nisin hetime për shkak të pastërtisë së tij. Ish-kryeprokurori Ismet Kabashi, i cili duke e përdorur edhe pozitën si kryesues i Këshillit të atëhershëm Prokurorial e pati mbështet me një komunikatë të njëjtën gjë: “Nuk ka hetime kundër Enver Hasanit”. Por, kjo situatë nuk ishte përfitim i njëanshëm veç për Enver Hasanin. Po ato ditë vajza e Ismet Kabashit, Venera ishte punësuar si këshilltare juridike në Gjykatën Kushtetuese, të drejtuar nga Hasani.

Më 15 janar të viti 2014, Gazeta Express pati publikuar hulumtimin “Tenderi që e lidh fort Enver Hasanin me korrupsionin”, për tenderin për përkthimin e librave për nevoja të UP-së, pas të cilit policë hetues me një mandat nga Prokuroria patën kërkuar në gazetë dokumentet e përdorura për këtë hulumtim, ani pse pjesa më e madhe e tyre veç ishin dokumente publike.

Hetimi që nisi atë kohë, këtë javë përfundoi me një vendim gjyqi që konfirmon raportimet e Express-it të para katër vitesh: Enver Hasani është fajtor për korrupsion.

Gjykata vendosi, pas një procesi jo të shkurtër, që përveç 1 viti burgim me kusht për Enver Hasanin dhe nga gjashtë muaj për dy të akuzuarit e tjerë, Hakif Veliun dhe Albert Rakipin, të cilët dënimin mund ta shlyejnë me nga 10 mijë euro gjobë, Hasani dhe dy të dënuarit tjerë detyrohen t’ia kthejnë UP-së mbi 70 mijë euro kompensim.

Enver Hasani, një profesor i së Drejtës Ndërkombëtare që mban edhe një diplomë nga një universitet në Turqi, jo rrallë nga politikanë opozitarë të vendit i është përmendur afërsia që ka pasur me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) duke e akuzuar se edhe vendime të rëndësishme të Gjykatës Kushtetuese i nxori në favor të PDK-së. Një nga vendimet fort të diskutueshme të kësaj gjykate nga koha sa atë e drejtonte Hasani, e që edhe sot shkakton kriza politike në Kosovë, është vendimi që pozita e kryeparlamentarit me automatizëm i takon partisë/koalicionit që del i pari nga zgjedhjet.

A pati korrupsion apo jo që Kushtetuesja nën drejtimin e Hasanit ta favorizonte atë kohë PDK-në me atë vendim, siç akuzonte opozita, nuk është provuar ende, por Prokuroria Speciale arriti ta provojë në Gjykatë se te tenderi “Përkthimi i librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe”, i shpallur më 26 nëntor të viti 2008 ishte korrupsion. U dëmtua buxheti i UP-së për mbi 70 mijë euro, dhe mund të dëmtohej edhe më, sikurse të mos ndërhyhej me kohë – vlera e përgjithshme e tenderit ishte parashikuar të shkonte në gjysmë milionë euro.

Siç kishte raportuar Express në hulumtimin e janarit të viti 2014 në tenderin në fjalë, UP-ja kishte bërë shkelje të njëpasnjëshme, por kryesorja ishte që tenderi iu dha kompanisë së papërgjegjshme – në këtë rast kompanisë së biznesmenit Albert Rakipit dhe ku qe i angazhuar për një kohë Enver Hasani, kompania “Instituti i Studimeve Ndërkombëtare” me qendër në Tiranë.

Hetimet e mëvonshme të Prokurorisë do të konfirmonin pothuajse krejt raportimet e Express, dhe më shumë se kaq, se kush do ta fitonte këtë tender ishte vendosur në stil mafioz. Në restorant.

Kështu, dy seanca para vendimit final, Marian Dema, rektor aktual i UP-së e që në atë kohë ishte Prorektor për çështje financiare, në dëshminë e tij tha se në një restorant në qendër të Prishtinës u vendos që tenderi për përkthimin t’i jepej Institutit për Studime Ndërkombëtare (ISN).

“Është shpallur tenderi, por dy herë ka dështuar, siç më kujtohet herën e tretë me këmbënguljen e Enver Hasanit është mbajtur dhe ne jemi takuar me agjencinë për prokurim në restorant ‘Pishat’, e pas kësaj ky organ ka bërë revokimin e një neni që t’i jepet tenderi operatorit në fjalë”, tha Dema.

Me gjithë faktet e sjella nga gazeta, e më pas edhe nga Prokuroria, e me gjithë dëshmitë e ish-bashkëpunëtorëve të tij për ndërhyrje të tij direkte në këtë tender të dyshimtë, të cilat së bashku e bindën Gjykatën ta dënojë për korrupsion, Enver Hasani ende shprehet se ky ishte një veprim kundër tij i bërë nga Kryeprokurori Aleksandër Lumezi.

Në një letër të dërguar te mediet nga Hasani, menjëherë pas shpalljes së vendimit për fajësinë e tij për korrupsion, ai e akuzoi Lumezin se madje nuk e ka të përfunduar as provimin obligativ të jurisprudencës, e ky i fundit e komentoi këtë akuzë si shpifje.

Me gjithë akuzat e drejtuara kundër Kryeprokurorit Lumezi, Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, siç edhe pritej, shpalli fajtor Enver Hasanin me dy bashkëpunëtorë. Por, Hasani e biznesmeni Albert Rakipi nuk ishin prezent në seancën e shpalljes së vendimit nga trupi gjykues, dhe ndryshe veproi Hakif Veliu.

Detajet e këtij krimi janë përshkruar gjerësisht në aktakuzën e Prokurorisë Speciale e cila thotë se Enver Hasani në cilësinë e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Hakif Veliu, si shef i prokurimit në UP dhe Albert Rakipi si drejtor i Institutit ISN, kanë kryer veprën penale të mashtrimit në detyrë në bashkëkryerje.

Prokuroria pretendon se të akuzuarit këtë vepër e kishin kryer lidhur me realizimin e kontratës për përkthimin e librave nga gjuha angleze në gjuhën shqipe për nevojat e UP-së. Kontrata e lidhur në mes të UP-së dhe ISN-në kishte një vlerë të përgjithshme prej 500 mijë eurosh dhe çmimi i pagesës ishte përcaktuar 12,65 euro për 1000 fjalë.

Prokuroria pretendonte se 3 ditë pasi që ishte nënshkruar kontrata, zëvendësdrejtori i ISN-së, Jorgji Qirjako, i ka dërguar të akuzuarit Enver Hasani një kërkesë për ndryshimin e kontratës nga njësia matëse “fjala” në njësinë matëse “karaktere”, ndërsa pastaj i akuzuari Hakif Veliu sipas marrëveshjes me Enver Hasanin, ka përpiluar një kontratë të re me të cilën kanë ndryshuar nenin 17 të kontratës origjinale të datës 5 dhjetor 2008.

Në aktakuzën e prokurores Drita Hajdari thuhej se pikërisht neni 17 ishte ndryshuar në atë formë që në vend të çmimit 12.65 euro për 1000 fjalë, ishte shënuar çmimi 12.65 euro për 1000 karaktere duke i mundësuar kështu Institutit përfitim më të madh për sasinë e njëjtë të shërbimit.

Sipas akuzës, Hakif Veliu në kontratën e falsifikuar ka mbajtur numrin dhe datën e kontratës origjinale dhe atë kontratë i akuzuari Enver Hasani më datë 13 dhjetor 2008, e ka dërguar në Tiranë për ta nënshkruar i akuzuari Rakipi.

Sipas kontratës së ndryshuar, Prokuroria pretendon se më 13 korrik 2009 është dërguar në UP fatura për përkthimin e 8 librave me çmim prej 78.999,25 euro e llogaritur sipas njësisë matëse “karaktere”, e që sipas kontratës origjinale do të kishte kushtuar 14.991, 91 euro.

Aktakuza përshkruante se i akuzuari Rakipi në fatura e ka shënuar shenjën 1000/F, gjë që tek anëtarët e Komisionit të UP-së për pranimin e materialit të përkthyer, ka krijuar lajthitje se llogaritja e përkthimit është bërë me njësinë matëse “fjala” dhe kështu ky komision ka rekomanduar ekzekutimin e pagesës.

Prokurori pretendon se si rezultat i ndryshimit të kontratës origjinale, ISN siguroi një përfitim të kundërligjshëm financiar në shumë prej 70 mijë eurove. Kjo edhe është shuma që duhet tash ta kthejnë në UP të dënuarit për korrupsion: Enver Hasani, Hakif Veliu dhe biznesmeni Albert Rakipi. /V.D./GazetaExpress/