Lidhja Demokratike e Kosovës, del të ketë fituar më së shumti vota në nivel vendi, duke i numëruar të gjitha votat që qytetarët kanë hedhur për kandidatët për kryetarë të komunave.

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se LDK ka marrë 210 mijë vota në nivel vendi, e pasuar nga PDK e cila ka marrë 140 mijë vota, LVV 130 mijë vota dhe AAK 100 mijë vota, shkruan gazetametro.net.

Nga ky rezultat del se LDK është bindshëm partia më e votuar në vend, me 70 mijë vota më shumë se sa partia e dytë, në këtë rast PDK.

Këto zgjedhje kanë rezultuar edhe me një befasi tjetër, duke e renditur Vetëvendosjen si partinë e tretë, edhe pse vetëm pak muaj më parë kishte dalë si partia më e votuar në vend.

Sot në Kosovë janë mbajtur zgjedhjet e rregullta lokale. Vendvotimet janë mbyllur zyrtarisht në ora 19:00.

Më parë, Demokracia në Veprim ka publikuar rezultatet preliminare për 38 komunat e Kosovës, transmeton Telegrafi.

Sipas rezultateve të deritashme 19 komuna nuk shkojnë në balotazh, ndërsa 19 të tjera po.