Tash kur ka përfunduar procesi zgjedhor dhe janë mbyllur vendvotimet, jemi këtu për të dhënë vlerësimin tonë për ditën e sotme zgjedhore. Vlerësimi jonë i përgjithshëm është se atmosfera zgjedhore ka qenë mjaft e tensionuar, janë regjistruar plot parregullsi, të cilat janë denoncuar para organeve vendore dhe ndërkombëtare, ndërsa janë përgatitur edhe ankesat përkatëse që do të dorëzohen në KSHZ.
Me këtë rast po i përmendim disa nga këto parregullsi:
– Mbrëmë në orët e mbrëmjes persona që janë paraqitur si njësiti “Alfa”, por pa ofruar shenja policie, i kanë ndaluar dy aktivistë të koalicionit Aleanca me BESË dhe ua kanë marrë letërnjoftimet, ndërsa gjatë paraqitjes së rastit në polici, u është bërë presion disaorësh që ta ndryshojnë deklaratën;
– Mbrëmë një ekip i njësitit Alfa pa asnjë arsyetim i është futur në shtëpi shefit të një nëndege në lagjen e Seravës;
– Sot njësiti Alfa, po ashtu pa asnjë arsyetim, e ka ndaluar dhe e ka mbajtur një orë pa asnjë shpjegim shefin e shtabit zgjedhor të koalicionit Aleanca me BESË në Çair;
– Sot në mëngjes në SHF “Rajko Zhinzifov” një aktivist i LSDM-BDI-së ia ka ofruar vëzhguesit të koalicionit Aleanca me BESË në vendvotim 1000 EUR si ryshfet që ta braktisë vendvotimin;
– Në orët e pasdites dy persona me dosje kriminale të BDI-së, prej të cilëve njëri edhe zyrtar i Policisë, i kanë rrahur dy aktivistë të koalicionit Aleanca me BESË pranë SHF “Idnina” në Çair”;
– Në Tearcë ka pasur kërcënime të aktivistëve dhe sulm fizik ndaj shefit të shtabit lokal të koalicionit Aleanca me BESË atje;
– Në malësinë e Tetovës, në fshatrat e Sarajit dhe në fshatrat e Studeniçanit është ndërprerë rryma elektrike, që të pamundësohet votimi në orët e pasdites. Kjo e shton edhe dyshimin për inkuadrimin në këtë malverzim edhe prej kompanisë EVN;
– Blerje votash ka pasur gati se gjithkund;
– Në fshatin Llokë të Sarajit ka pasur kërcënime për likuidim fizik ndaj aktivistëve të koalicionit Aleanca me BESË dhe është thyer kutia në vendvotimin 2429;
– Në fshatin Bojanë është sulmuar fizikisht komisionari i jonë;
– Në fshatin Llaskarcë është bërë tentativë për ta prishur procesin zgjedhor, por falë angazhimit tonë, kjo është evituar;
– Në një vendvotim në Saraj një votues i koalicionit Aleanca me BESË e ka gjetur në fletore se dikush tjetër ka votuar në emër të tij.

Këto janë parregullsi që jo vetëm e kanë nxirë demokracinë në vendin tonë, por kanë dëshmuar se kjo qeveri me asgjë nuk ndryshon nga qeveritë e tjerë. Ky proces zgjedhor, që nga involvimi i Kryeministrit dhe ndërhyrja e tij në vullnetin politik të shqiptarëve, dëshmoi se kur janë në pyetje shqiptarët, qeveria e Zaevit nuk dallon nga qeveria e Gruevskit: edhe Zaevi dëshiron shqiptarë të korruptuar dhe kriminalizuar, sepse ashtu i kontrollon ato.
Për vlerësimin më të saktë të procesit i presim edhe të dhënat nga shtabet e tjera komunale, kur do të mund ta japim vlerësimin tonë edhe më konkret, ndërsa për rezultatet do të informoheni pasi të vijnë informacionet e para nga komisionet zgjedhore.
Me këtë rast i falënderojmë të gjithë votuesit që na kanë mbështetur, si dhe aktivistët e koalicionit Aleanca me BESË, që kanë bërë një mal punësh që ky proces zgjedhor të kalojë pa incidente fatale, duke dëshmuar kulturë e pjekuri të lartë demokratike.

Për pressin e radhës do të njoftoheni me kohë.