Raportuesja në largim e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, gjatë ditës së sotme ka bërë thirrje edhe njëherë që të miratohet marrëveshja e Demarkacionit, shkruan zeri.info.

Këto komente, Lunacek i ka bërë në një konferencë sot në Prishtinë, ku ndër të tjera foli edhe për zgjedhjet e fundit në Kosovë.

“Do të doja t’ju bëj thirrje të gjithë në Kuvend që të ecin përpara dhe ta votojnë demarkimin me Malin e Zi”, tha Lunacek.

Ajo më tej, gjersa foli për zgjedhjet, vlerësoi se ato kanë shkuar mirë, krahasuar me zgjdhjet e kaluara.

“Në zgjedhjet e vitit 2010 ka pasur shumë parregullësi. Mirëpo zgjedhjet që janë mbajtur tani në përgjithësi kanë qenë mirë”, theksoi ajo, raporton “Zeri.info”.

Tutje, Lunacek tha se në Kosovë ka pasur përmirësime të dukshme që nga paslufta, mirëpo siç ajo u shpreh, ende ka vend për përmirësime.

“Kjo është vizita ime e fundit, e kam bërë me gjithë qejf këtë punë që nga shpallja e pavarësisë. Gjatë atyre 8 viteve ka pasur përmirësim, mirëpo ende ka vend për përmirësim”, shtoi ajo. /ZËRI