Të gjitha sondazhet e deritashme, kandidatin për kryetar të Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje, Shpend Ahmetin, e nxjerrin si favoritin absolut për të qeverisur kryeqytetin edhe katër vite të tjera. Megjithatë, kundërshtarët e tij nga partitë tjera politike ende nuk janë dorëzuar.

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, rivalët politikë të Shpend Ahmetit janë mobilizuar në maksimum kundër tij.

Po përdoret çdo mjet dhe mënyrë për të penguar atë në marrjen e mandatit të dytë.

Siç mëson Periskopi, ditëve të fundit, përpos materialeve propagandistike dhe lajmeve të rrejshme, kundër Ahmetit është aktivizuar edhe një pjesë e kompanive të ndërtimit.

Disa punëtorë të kompanive të ndërtimit në kryeqytet i kanë shkruar Periskopit për presionin që po iu bëhet atyre për të mos votuar Shpend Ahmetin.

Të shqetësuar për vendin e tyre të punës, ata kanë dashur të mbesin anonimë.

“Po na thojnë që nese e votoni Shpend Ahmetin, keni me mbet pa punë, se ai i ka ndalë ndërtimet, e s’kena me pas çka me punu. Tash ju vendosne a po doni me nejt në shpi, a me punu”, i ka thënë Periskopit në kushte anonimiteti një punëtor i ndërtimit në njërën nga kompanitë e mëdha ndërtuese në Prishtinë.

Prishtina, që nga paslufta, për 13 vite sa ishte qeverisur nga LDK’ja, ishte shndërruar në punishte të ndërtimeve pa leje.

Gjatë qeverisjes së LDK’së, nga viti 2000 deri në vitin 2013, në Prishtinë janë bërë mbi 46 mijë ndërtime pa leje.

Për 13 vjet sfera e ndërtimit në Prishtinë ishte një xhungël e vërtetë, por tepër fitimprurëse për ata që merreshin më këtë veprimtari.

“Kem kërcënime prej shefave. Po na thonë, që kena shans me pas punë si ktyeherë, si para katër vjete, edhe mundemi përmes numrave personal me e ditë për kënd keni votu. Veç le te heqim Shpendin”, ka treguar një punëtor tjetër i ndërtimit.

Për shkak të kaosit dhe ndërtimeve pa leje në Prishtinë gjatë kohës së LDK’s, në vitin 2014 ishin arrestuar dhjetë inspektorë nga Sektori i Ndërtimit i Drejtorisë së Inspektoratit të Komunës së Prishtinës, përfshirë këtu shefin e sektorit.

Në mesin e të arrestuarve ishte edhe pronari i një kompanie private të ndërtimit.

Asokohe ishin arrestuar Ismet (Kadri) Haliti, Skender (Jahir) Canolli, Vehbi (Rrahman) Abdullahu, Drita (Hamit) Rukiqi, Blerim (Jakup) Syla, Blerim (Hysen) Ibishi, Ardian (Humdi) Muhadri, Arbenita (Hysen) Ajeti, Mergim (Nexhip) Shala, Granit (Ali) Cenaj, Qemajl (Adem) Pozhegu (pronar I kompanisë ndërtimore POZHEGU). Arrestimi ishte rezultat i një hetimi të gjatë lidhur me ndërtimin e objekteve pa leje ndërtimore, në Komunën e Prishtinës.

Dyshohet se të pandehurit i kishin u kanë sjellë fitime financiare disa biznesmenëve hiç më pak se 28 milionë euro.

Shpend Ahmeti ishte deklaruar se ai dhe i gjithë stafi i tij kanë bashkëpunuar ngushtë me prokurorinë për secilin rast.

“Një numër i dosjeve na është kërkuar nga Prokuroria speciale dhe ne kemi bashkëpunuar me ta dhe një numër i këtyre lëndëve janë duke u hetuar. Këtu nuk ka hapësirë për qëndrime politike pasi po flitet për vepra penale dhe përgjegjësi penalen e bartin ata persona”, kishte thënë Ahmeti.

Ndryshe, gjykimi ndaj të pandehurve ende vazhdon, dhe në fillimi të këtij muaji, është mbajtur një seancë në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Mes tjerash, të pandehurit akuzohen se nuk i kanë parandaluar ndërtimet kundërligjore ndaj objekteve të investitorëve, Bedri Prishtina nga kompania ”Tregtia”, Isen Sadiku ”Hysi Group”, Ymer Veliu ”Naki Trade”, Arbër Kryeziu ”Al Petrol”, Shefik Rexhepi “Euro Abi”, Azem Rusinovci ”Reforma”, Bejtush Gashi ”VG Construction” dhe Fisnik Morina nga kompania “ART Group”.

Tutje, të njëjtit supozohet se nuk i kanë ekzekutuar vendimet e Inspektoratit për rrënimin e këtyre objekteve.

Ndërkaq, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers”, akuzohet për falsifikim të dokumenteve, pasi që i njëjti, pretendohet se ka ndryshuar lejen e ndërtimit me qëllim të shfrytëzimit të tij si dokument origjinal./Periskopi