Kontinenti evropian do të jetë i unifikuar kur Ballkani në fund të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini.

Mogherini në ceremoninë e ndarjes së çmimit të qytetit Magdeburg “Mbreti Oto i Madh” (Kaiser-Otto-Preis 2017) deklaroi se të gjithë banorët e kontinentit të Evropës janë evropianë, por se ky territor ende nuk është bashkuar.

Në këtë kontekst ajo rikujtoi se Magdeburg është binjakëzuar me Sarajevën dhe se pas luftës në Bosnjë e Hercegovinë ka ndihmuar rindërtimin e kryeqytetit të BeH-së, të cilin Mogherini e quajti “një qytet i bukur, interesant dhe vërtetë evropian”.

“Ashtu si Sarajeva edhe pjesa tjetër e Ballkanit është Evropë. Njerëzit nga Ballkani janë evropianë. Kontinentit ynë do të bashkohen vetëm atëherë kur Ballkani në fund të bëhet pjesë e Unionit tonë. Mos harroni se zgjedhjet që baballarët dhe nënat tona nganjëherë kanë sjellë ishin të papëlqyeshme, por ata kishin të drejtë. Ndonjëherë ne duhet të jemi të guximshëm dhe të bëjmë hapin e duhur”, tha Mogherini, raporton Anadolu Agency.

Ajo shtoi se do të angazhohet personalisht që deri në fund të mandatit të saj të gjitha vendet e Ballkanit të ndërmarrin hapa drejt anëtarësimit në BE.

“Unë besoj se kjo është e arritshme. Kjo është ajo që ata duan dhe kjo është ajo që ne kemi nevojë për kontinentin dhe sigurinë tonë”, tha Mogherini.

Ajo mbrëmë mori çmimin “Mbreti Oto i Madh” në Magdeburg, i cili ndahet çdo vit për të forcuar mirëkuptimin dhe bashkëpunimin në Evropë.