Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë njofton se nuk janë regjistruar parregullsi të mëdha dhe prishje të rendit publik gjatë procesit të votimit sot në rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale.

Zëdhënësi i MPB-së, Toni Angelovski, tha se janë paraqitur tre raste të fotografimit të fletës së votimit. Nga MPB apelojnë që qytetarët të mos i fotografojnë fletët e votimit pasi që kjo nënkupton shkelje ligjore.

Në Shuto Orizare është regjistruar prishje e rendit publik, një person paraqiti se një grup personash e kanë sulmuar atë në rrugën “Metohiska”. Lidhur me këtë rast policia po merr masat e nevojshme.

Nga ana tjetër organizata “Civil” që monitoron zgjedhjet thotë se ka regjistruar 29 raste të prishjes së procesit zgjedhor.

Ata u ankuan se vëzhguesit e tyre janë penguar në kryerjen e detyrës. Ata tërhoqën vëzhguesit nga një vendvotim në Llaskarcë të Sarajit duke kërkuar nga institucionet nëse atje ka zgjedhje të lira dhe demokratike.