Orë të tëra debati u bënë për rishikimin e buxhetit në Kuvendin e Kosovës të mërkurën, por në fund projektligji nuk arriti të kalonte në mungesë edhe të një vote nga pushteti.

Një ditë më vonë, qeveria u mobilizua që t’i ketë 61 deputetë në sallë aq sa i duheshin që ta miratonte atë, raporton KTV.

Ata që e monitorojnë punën e Kuvendit thonë se shumë shpesh Kuvendi do të ketë situata të tilla kur dihet se partitë në koalicion e kanë vetëm shumicën e thjeshtë.

Artan Murati nga KDI-ja thotë se partitë e koalicionit duhet të jenë mirë të koordinuara para çdo seance, nëse vetëm një deputet u mungon, ata nuk do të arrijnë t’i kalojnë as ligjet më të thjeshta.

Analisti Artan Muhaxhiri thotë se Qeveria Haradinaj do të përballet vazhdimisht me të tilla situata, derisa opozitën aktuale e ka quajtur më të fuqishmen deri tash.

Qeveria Haradinaj i ka vetëm 61 vota në Kuvendin e Kosovës, përfshirë këtu votat e PDK-së, AAK-së, Nismës, deputetëve të AKR-së, të Listës Serbe dhe minoriteteve joserbe.

© KOHA.