Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar se deri më tani nuk ka pranuar asnjë dokument zyrtar në lidhje me tërheqjen e njohjes së shtetit të Surinamit, ndërsa për lajmin që erdhi nga ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, për tërheqjen e njohjes, MPJ-ja e drejtuar nga Behgjet Pacolli, i sheh si tendenca për të minuar legjitimitetin e shtetit të Kosovës.

Ministria e Jashtme i referohet njohjes të Kosovës nga Surinami, që ka ardhur në korrik të 2016-s dhe marrëdhënieve të mira, që kanë rezultuar me njohjen për të cilën Ivica Daçiq tha sot i është tërhequr Kosovës.

“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës është e vetëdijshme për interesimin e jashtëzakonshëm, përpjekjet e fuqishme dhe qëllimet malinje që ka shteti fqinj, Serbia përkitazi me minimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.

Aty thuhet se Ministria e Jashtme flet vetëm me fakte, dhe fakt është qenësia e shtetit të pavarur të Kosovës, që është njohur nga 114 shtete.

“Gjuha e fakteve dhe gjendja e realitetit është se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, me legjitimitetin e vulosur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, ku ishte dërguar nga vetë Serbia, është njohur nga 114 shtete nga çdo kontinent, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me 88 shtete, është anëtarësuar në më shumë se 60 organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, ka hapur gati 40 misione diplomatike dhe poste konsullore dhe ka të akredituar ambasadorë jorezidentë në rreth 60 shtete gjithandej nëpër botë”.

Krejt në fund, Ministria e Jashtme, në njoftimin e saj, shton se legjitimiteti i Kosovës nuk duhet ta pengojë Serbinë, sepse shteti kosovar kërkon që të ketë raporte të mira me të gjithë, përfshirë edhe Serbinë.