Ndonëse e dinë që autoritetet serbe nuk i vulosin me apostilë dokumentet që u shërbejnë qytetarëve të lindur në Serbi për të marrë shtetësinë kosovare, zyrtarë të MPB-së së Kosovës vazhdojnë t’u kërkojnë dokumentet me këtë vulë.

Hysni Bytyçi është njëri prej qytetarëve që është përballur me këtë problem.

Me profesion avokat, Bytyçi ka menduar ta bëjë edhe djalin e tij, i lindur në Beograd, me shtetësi të Kosovës.

Ai ka pyetur autoritetet në Prishtinë se çfarë dokumentesh duhen për ta realizuar marrjen e shtetësisë për të birin dhe është kthyer në kryeqytetin serb, ku i ka nxjerrë dokumentet e kërkuara.

Për KALLXO.com ai tha se kur ka shkuar t’i vulosë dokumentet me apostilë, zyrtari serb e ka pyetur se për ku i duhen dhe ai i ka treguar që për Kosovë.

“Ne për Kosovë nuk i vulosim me apostile”, citon Bytyçi zyrtarin serb, i cili, sipas tij, për shkak se Serbia nuk e ka njohur Kosovën si shtet dhe se vulat e tilla vendosen vetëm në dokumente që janë të destinuara për shtete të huaja.

Më pas, Hysni Bytyçi, i cili ka jetuar e vepruar për kohë të gjatë në Beograd, tregon se është kthyer në Prishtinë pa i vulosur dokumentet e kërkuara.

Ai thotë se u ka treguar zyrtarëve të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion të Kosovës saktësisht se pse nuk i ka vulosur dhe se njëri prej tyre i ka rekomanduar të gënjejë autoritetet serbe.

Por, Hysni Bytyçi thotë se kurrë nuk do të thotë gënjeshtra para autoriteteve.

“Për mua personalisht kjo është falsifikim ndërsa ligjërisht kjo është vepër penale”, thotë avokati.

Për rastin e tij, Bytyçi thotë se i ka shkruar edhe ministrit të Brendshëm dhe presidentit të Kosovës, porse nuk ka marrë përgjigje.

Ndërsa, KALLXO.com ka kontaktuar Liridon Nezirin, drejtor i Departamentit për Shtetësi dhe e ka pyetur për rastin konkret.

Neziri tha se procedurat e për marrjen e shtetësisë janë standarde dhe për këtë çështje kërkohen dokumentet e nevojshme, të cilat duhet të jenë të vulosura me apostile.

Ai e pranon se autoritetet serbe refuzojnë të vendosin apostilen në dokumente kur atyre u tregohet se dokumentet nevojiten për në Kosovë, për shkak se Serbia ende nuk e ka njohur Kosovën, por ai nuk i këshillon palët se si t’ia bëjnë.

“Unë nuk këshilloj palë. Ne e kemi mandat me ligj që të shqyrtojmë kërkesa ndërsa barra për sjelljen e dokumenteve bie mbi palën”, tha Liridon Neziri.