Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka reaguar ndaj partive politike në Kosovë të cilët e kanë komentuar zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi.

Ai në një postim në facebook ka thënë se kjo marrëveshje është e rëndësishme pasi çrrënjos strukturat paralele në veri.

“E kam thënë dhe e përsëris fuqishëm se zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi, që bëri të mundur shtrirjen e pushtetit të gjyqësorit në katër komunat e Kosovës, është një e arritur jashtëzakonisht e rëndësishme për Republikën e Kosovës, për sundimin e ligjit dhe shtrirjen e sovranitetit të vendit përmes çrrënjosjes së strukturave paralele në pjesën veriore të vendit”, ka shkruar Tahiri në facebook.

Sipas tij, kritikat ndaj zbatimit të kësaj marrëveshje janë tërësisht politike dhe japin mesazh të keq.

“Prandaj, konsideroj se tentativa e disa partive politike për të devijuar diskursin e kësaj ngjarjeje, përveç se është politike, përbën një politikë të dëmshme për vendin dhe një mesazh të keq për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim, për të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë që na kanë qëndruar afër në ndërtimin e Republikës sonë”, ka thënë ministri Tahiri.

Sipas Tahirit, kur vie puna për interesa shtetërore të gjithë duhet të bëhen bashkë.

“Thelbi i demokracisë qëndron në ballafaqimin e argumenteve politike mbi organizimin e shoqërisë dhe qeverisjen e saj. Pavarësisht faktit të të qenurit në pushtet apo opozitë, argumentimi dhe debati mbi atë që është e mundshme të arrihet kundrejt asaj që arrihet në të vërtetë e zhvillon demokracinë e një vendi dhe vetë forcat politike të tij. Megjithatë, kur bëhet fjalë për çështje që tejkalojnë interesa individuale dhe politike, pra kur është fjala për atë që është interes i përgjithshëm shtetëror , ka kritere mbi të cilat nuk është e denjë të kalohet”, ka shkruar Abelard Tahiri në facebook.

Ndryshe, të martën gjyqtarët dhe prokurorët serbë u betuan para presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. /Lajmi.net/