Llogaritë e partive politike për balotazhin nisën qysh pas përfundimit të raundit të parë më 22 tetor. Por ditëve të fundit, numri i koalicioneve të zyrtarizuara ndërmjet partive politike po rritet.

Në komunat e mëdha, kandidatët kanë nisur të harmonizojnë programet dhe ndarjen e pozitave nëse vetëm arrijnë të fitojnë në balotazhin e 19 nëntorit.

Në Prishtinë ku pritet të zhvillohet gara më interesante, Lëvizja Vetëvendosje zyrtarizoi koalicionin me AKR-në, kurse dje Arban Abrashi dhe Arbër Vllahiu zyrtarizuan gjithashtu marrëveshjen për kryeqytetin, shkruan lajmi.net

Edhe në Prizren ka filluar nënshkrimi i marrëveshje. Haskuka i VV-së dje nënshkroi koalicionin me Zafir Berishën e Nismës, kurse sot u “kundërpërgjigj” Shaqir Totaj i PDK-së që bashkë me Lulzim Kabashin nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës zyrtarizuan marrëveshjen për koalicion.

Edhe në Mitrovicë nuk munguan koalicionet.

Agim Bahtiri ka nënshkruar koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, kurse Valdete Idrizi arriti marrëveshje me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Në Kaçanik, Klinë dhe Shtime, komuna këto që qeverisen nga Partia Demokratike e Kosovës qe një kohë të gjatë, partitë tjera janë bërë bashkë për t’i mposhtur kandidatët e PDK-së.

Përkundër kësaj, Besim Ilazi, Sokol Bashota dhe Naim Ismajli janë shprehur të bindur se do ta fitojnë edhe një mandat.

Koalicioni më befasues ndodhi në Kamenicë, ku u bënë bashkë LDK-ja dhe PDK-ja.

Kurse në qytetet e tjera të mëdha si Gjilani, Ferizaji, Gjakova marrëveshje zyrtare ndërmjet partive politke ende nuk ka.

Por sa mund të ndikojnë këto koalicione në rezultatet e balotazhit?

Analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë për lajmi.net se partitë që janë humbëse në zgjedhje, pra partitë më të vogla do të ishte më mirë që t’ia lenin në dorë qytetarëve të zgjedhin kandidatin e preferuar, pasi sipas tij këta kandidatë nuk e kanë “blanko” votën e qytetarëve.

Partitë nga koalicionet i kanë përfitimet e caktuara, këto zakonisht janë parti humbëse që sa i përket moralit të politikës do të duhej të tërhiqeshin dhe t’ia lenin qytetarëve në bazë të ndërgjegjës të votojnë. Sepse këto parti votën e qytetarëve nuk e kanë blanko dhe nuk e kanë të garantuar. këto parti ose këta kandidatë për kryetarë komunash tash po bëjnë koalicione dhe po marrin drejtorate e pozita të ndryshme nën arsyetimin se po e harmonizojnë programin”, ka thënë Tahiri.

Sipas Tahirit, këto koalicione që po bëhen nuk e kanë fokusin te progamet e tyre por në klientelizëm dhe ndarjen e posteve.

“Nuk është parimore sepse partitë nuk po bëjnë koalicione programore në nivel vendi e atëherë ta shtriejnë nëpër komuna, kjo do të ishte ideale. Mirëpo çdo komunë varësisht prej interesave lokale dhe dhe atë se kush po i ofrojnë më shumë me atë po bëjnë koalicion. Domethënë s’ka të bëj me politikë, por klientelizëm dhe marrëveshje për ndarjen e pozicioneve”, shtoi analisit politik për lajmi.net

Tahiri deklaroi se sa i përket sukseseeve të këtyre koalicioneve ende nuk dihet.

Ai këto marrëveshje i ka krahasuar me shitblerjet në sport, duke shtuar madje se në këto të fundit ka më shumë moral.

“Nëse fiton Shpend Ahmeti atëherë AKR-ja i merr drejtoritë që ia kanë premtuar në komunë. Kemi të bëjmë me pozita maksimalizim të pozitave, pak a shumë shit blerje sikur në sport, por aty është më mirë sesa në Kosovë pasi ka më shumë moral”, përfundoi Ramush Tahiri.

Balotazhi për zgjedhjet locale mbahet më 19 nëntor, kurse fushata nis nga e hëna. /Lajmi.net/