Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi kanë reaguar sot ndaj vendimit të djeshëm të Gjykatës Supreme në Shkup për “Grupin e Kumanovës”. Ata bashkërish kërkojnë hetim ndërkombëtar të zbardhjes së rastit në fjalë, njofton Portalb.mk.

“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq nga kabineti i kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi thuhet se “kryetari pajtohet me kërkesën e Hardinajt” duke thënë se një hetim ndërkombëtar do ta ndriçonte të vërtetën e plotë.

“Një hetim ndërkombëtar, do ta ndriçonte të vërtetën e plotë, mbi të cilën do të vendoste drejtësia”, thuhet në një njoftimin e presidencës së Kosovës.

Me këtë rast, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka thirr në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.

Përndryshe, dje në Gjykatën Supreme të Shkupit u dha vendimi për 33 persona të rastit të “Kumanovës”, ndaj të cilëve u parashtrua dënim me shtatë shekuj e gjysmë burg. Nga gjithë të akuzuarit, vetëm 4 u shpallën të pafajshëm. Vendimi i sotëm i parapriu procesit gjyqësor që zgjati për më shumë se dy vjet.

Ndryshe, më 9 dhe 10 maj 2015, në Lagjen e Trimave të Kumanovës një grup i armatosur u përplas me forcat e sigurisë. Në të shtënat jetën e humbën tetë policë të njësiteve speciale dhe të veçanta të MPB-së, ndërsa katërmbëdhjetë u lënduan rëndë. U vranë edhe dhjetë persona të grupit të armatosur.