Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, një ditë pas marshit protestues “Drejtësi për Astritin”, i cili përfundoi edhe me sulm ndaj Qeverisë me ngjyrë e me gurë, ka dalë me një ekip për ta pastruar.

Ka thënë se për humbjen e Astrit Deharit edhe ai ndjen dhimbje, respekton protestuesit që dolën dje, por sulmin ndaj objektit të Qeverisë e konsideron dëm.

“Institucionet janë të popullit”, ka thënë ai, duke kërkuar të mos dëmtohet ajo që është e popullit.

Postimi i Haradinajt në Facebook:

DREJTËSI PËR ASTRITIN

Vetë kam humbë njerëz të familjes, në kohë lufte dhe pas saj. Humbjen e familjarëve e ndjejë thellë dhe kam respekt për familjet që kanë përjetuar dhimbjen.

Respekt për protesuesit, por shteti i Kosovës ngritet duke e respektuar dhe duke e forcuar atë.

Mos e dëmtoni tuajën, sepse institucionet janë të popullit.

Familjes Dehari do t’i qëndrojmë pranë dhe drejtësia për Astritin do të vihet në vend.

RH

Kujtojmë se dje Lëvizja Vetëvendosje i ka dhënë afat tre muaj Qeverisë së Kosovës që të lejojë hetim ndërkombëtar për vdekjen e aktivistit të kësaj partie Astrit Dehari.

Në protestën e organizuar në njëvjetorin e vdekjes së Deharit, Vetëvendosje ka kërkuar gjithashtu shkarkimin e zyrtarëve shtetërorë, që sipas këtij subjekti, janë përgjegjës për vdekjen e aktivistit të tyre.

Disa aktivistë të Vetëvendosjes, derisa vendosën pankartën me kërkesat e tyre, hodhën shishe me ngjyrë dhe mjete të forta në drejtim të ndërtesës së Qeverisë ku edhe u thyen disa nga xhamat.