Portali Sakte.net dhe Almakos.com ka filluar një cikël intervistash me njohës të zhvillimeve në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, ku gara është midis dy pretendentëve për të parin e komunës, Shpend Ahmetin nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Arban Abrashin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Publicisti Ilir Ibrahimi konsideron se është duke u zhvilluar një garë e ngushtë dhe nuk do të ishte e çuditshme nëse kandidati i LDK – së, Arban Abrashi do të arrinte ta përmbyste rezultatin ndonëse tani për tani, sipas tij, Shpend Ahmeti konsiderohet si favorit.

“Megjithëse do të jetë një garë e ngushtë sepse përveç tjerash, kjo garë do të përcaktojë edhe fuqinë politike të dy subjekteve politike, VV dhe LDK, tani për tani z. Ahmeti duket se ka një përparësi. Nga rezultati i raundit të parë ai i futet garës me një avantazh, por kjo nuk do të duhej t’i jep atij ndonjë komoditet. Të dy partitë garuese shihet se janë angazhuar maksimalisht në këtë garë dhe kjo e bën garën të ngushtë. Z. Abrashi është treguar si një kandidat shumë i zoti dhe nuk do të ishte befasi nëse ai arrin të përmbysë rezultatin”, ka deklaruar Ilir Ibrahimi.

Sipas tij, një faktor tjetër përcaktues do të jetë edhe rreshtimi i partive të tjera politike ku do të vjen në pah aftësia dhe gatishmëria e kandidatëve për të ndërtuar koalicione.

“Edhe pse me një avantazh, z. Ahmeti nuk e ka një fitore të lehtë përpara dhe do t’i duhet një angazhim maksimal në shumë sfera për ta materializuar këtë avantazh në fitore.

Në raudin e parë të votimeve, kryetari aktual i Prishtinës, Shpend Ahmeti fitoi besimin e 38.294 votuesve (43.61%), ndërsa kundërkandidati i tij, Arban Abrashi grumbulloi 31. 482 vota (35.79%)/Sakte.net