Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur Ministrin për Evropë dhe Amerikë të Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, me të cilin bisedoi për zhvillimet në Kosovë dhe rajon.

Presidenti Thaçi i shprehi mirëseardhje dhe theksoi se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe për Kosovën, për njohjen e Kosovës dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

“Pavarësia e Kosovës mban edhe vulën e madhe të Londrës”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ndërsa, Ministri për Evropë dhe Amerikë i Britanisë së Madhe, Sir Alan Duncan, u shpreh se Britania e Madhe mbetet e përkushtuar për rajonin, pavarësisht marrëdhënies së Londrës me Brukselin.

“Dëshirojmë rajon që jeton në paqe e stabilitet”, u shpreh Duncan.

Presidenti Thaçi theksoi se Kosova është promovuese e paqes dhe dialogut në rajon, si dhe punon për ndërtimin e marrëdhënieve të mira ndërfqinjësore me të gjithë, përfshirë edhe Serbinë./Lajmi.net/