Pavarësisht kërkesës së deputetëve të Listës Serbe që të procedohet sa më shpejt themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se kjo çështje do të adresohet në një afat optimal, pasi që, siç thonë ata, nuk ka presion kohor, shkruan sot, gazeta Zeri.

“Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të krijohet duke respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke u bazuar në Kushtetutën dhe në ligjet e Kosovës. Nuk ka presion kohor dhe as presione tjera, por kjo çështje do të adresohet në një afat optimal”, thuhet në një përgjigje të Zyrës për Medie të kryeministrit për gazetën “Zëri”.

Përndryshe, ligjvënësit serbë javën e kaluar gjatë një takimi me shefen e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova, kanë kërkuar që sa më parë të procedohet me Asociacionin, përderisa, siç kanë kërkuar ata, duhet të shmanget shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës.

Përndryshe, ligjvënësit serbë javën e kaluar gjatë një takimi me shefen e zyrës së BE-së në Prishtinë, Natalyia Apostolova, kanë kërkuar që sa më parë të procedohet me Asociacionin, përderisa, siç kanë kërkuar ata, duhet të shmanget shndërrimi i FSK-së në ushtri të Kosovës.
Në anën tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar për gazetën “Zëri” se ky proces nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës. “Çështja e formimit të Asociacionit të Komunave Serbe ka sjellë deri te një situatë absurde, e cila tash po shikohet thuajse Asociacioni mund të jetë mekanizëm i cili në një aspekt trajton në formë preferenciale çështjen etnike. Asociacioni nuk mund të jetë mbi Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe mbi ligjet e Kosovës, Asociacioni duhet të jetë në përputhshmëri edhe me Kushtetutën”, ka thënë Kusari Lila.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se partia e saj, Alternativa, e cila i ka dy deputetë në Kuvend, është e mendimit se ky proces duhet të jetë konform interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, andaj nuk ka jashtë këtij sistemi ligjor ndonjë mundësi të ndonjë epiteti që do të krijonte çfarëdo mundësie të krijimit të figurës paralele. “Problemet e njëpasnjëshme që po e përcjellin Kosovën nuk po e lënë trajtimin e mirëfilltë edhe të çështjes së asociacionit, sepse po i jepet një rëndësi dhe një qasje në drejtim të gabuar në raport me ligjin funksional në Kosovë, në ligjin e aplikueshëm në Kosovë”, ka përfunduar Kusari Lila.

Ndërsa Albulena Haxhiu, deputete e “Vetëvendosjes”, në një prononcim për “Zërin” ka përsëritur qëndrimin e partisë së saj se Asociacioni i Komunave Serbe nuk është i pranueshëm për partinë më të madhe opozitare.
“Për ne Marrëveshja për ‘Zajednicen’ mbetet e papranueshme. Kjo ka qenë e papranueshme edhe nga qytetarët sepse e kanë kundërshtuar përmes peticionit, por po ashtu kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili thekson që marrëveshja në fjalë nuk është në përputhje me 23 nene të Kushtetutës”, ka thënë Haxhiu.

Ajo gjithashtu ka thënë se lëvizja “Vetëvendosje” nuk do ta lejojë bosnjëzimin e Kosovës, si dhe qasja e Qeverisë aktuale karshi “Zajednices” është shqetësuese, duke e marrë parasysh faktin që pikërisht kjo marrëveshje është kundërshtuar edhe nga kryeministri aktual.

Edhe Dashnim Ismajli, njohës i çështjeve politike, thotë se formimi i Asociacionit do të jetë një sfidë e vështirë dhe çdo shtyrje e këtij procesi sjell edhe probleme për shtetin e Kosovës. “Krahas sfidës së Demarkacionit, sfidë mjaft të vështirë për Qeverinë e Kosovës përbën edhe Asociacioni i Komunave Serbe dhe ky asociacion, pos që miratimi i tij po kërkohet me urgjencë nga komuniteti serb, kërkesë të vazhdueshme kemi edhe nga faktori ndërkombëtar dhe mendoj se çdo shtyrje apo blerje kohe përbën edhe vështirësitë e shtetit të Kosovës në rrugëtimin e saj”, ka thënë Ismajli.