Sekretari i AKR-së, Rrahim Pacolli, ka mohuar se do të jetë nënkryetar i Prishtinës nëse fituese del Vetëvendosje dhe AKR në Prishtinë, pas një koalicioni që arritën sot.

Pacolli është përfolur që mund ta merr postin e nënkryetarit pas një takimi që e kishte me kandidatin e VV-së Shpend Ahmeti.

Sekretari i AKR-së ka thënë se nuk është i interesuar për poste publike.

“Nuk jam i interesuar për poste publike, nuk është që kam pasur ambicie për poste publike, unë jam sekretar i AKR-së dhe më intereson që partia që unë e përfaqësojë të ketë rezultat sa më të mirë”, ka thënë Pacolli për lajmi.net.

Ai ka thënë se koalicioni VV-AKR do të jetë fituese në Prishtinë, duke konsideruar se ky koalicion është bërë në interes të qytetarëve.

“AKR dhe VV ka me qenë fituese në garën e Prishtinës dhe kjo do të jetë në interes të qytetarëve të Prishtinës. Ne do të shkojmë në atë drejtim që AKR-në ta qesim aty ku ishte në fillim”, ka thënë Pacolli.

Rrahim Pacolli ishte i pari që publikoi një fotografi në Facebook bashkë me Shpend Ahmetin, që u konsiderua si një përafrim në mes këtyre dy partive në Prishtinë.

Ndërsa sot u arrit marrëveshja AKR-VV për balotazhin e 19 nëntorit në Prishtinë