Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke folur pas një takimi me përfaqësuesen e lartë të BE-së, Federica Mogherini, në Bruksel, ka thënë se dialogu mes Serbisë dhe Kosovës apo, siç u shpreh ai, “Beogradit dhe Prishtinës” do të vazhdojë, por gjithsesi nën patronazhin e Bashkimit Evropian e jo të dikujt tjetër.

Vuçiqi në këtë mënyrë i është referuar kërkesës së dëgjuar në Kosovë që edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të përfshihen si ndërmjetësuese në këtë dialog i cili tash e gjashtë vjet zhvillohet në Bruksel, shkruan sot Koha Ditore.

Ai nuk përmendi ndonjë afat kohor se kur do të mundë të zhvillohej takimi i radhës. Kjo është bërë edhe më e paqartë pasi tashmë synohet që dialogu të ngrihet në nivel të presidentëve.

Presidenti i Serbisë në Bruksel të mërkurën ka pasur takim me përfaqësuesen e lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ndërsa më vonë është takuar edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe ka folur edhe para ambasadorëve të vendeve anëtare në Këshillin e Atlantikut të Veriut.