Për të disaten herë me radhë Gjergj Dedaj është emëruar zëvendësministër. Pavarësisht se përgjatë viteve janë ndërruar qeveritë, Dedaj ka arritur që ta marrë çdoherë pozitën e zëvendësministrit në njërin prej dikastereve qeveritare, shkruan zeri.info.

Në vazhdën e emërimeve të zëvendësministrave, Dedaj u emërua në pozitën e zëvendësministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nga kryeministri Ramush Haradinaj.

Ndërkohë, Gjergj Dedaj më parë kishte qenë pjesë edhe e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (edhe aty zëvendësministër), e cila më vonë u bë shkas që të shkarkohej nga një pozitë tjetër e mëvonshme.

Para gati një dekade ai ishte emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, mirëpo në vitin 2010 (me vendim të kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi), Dedaj ishte shkarkuar ende pa filluar punën nga ky post.

Arsyeja e shkarkimit, siç qe raportuar, kishte qenë e bazuar mbi dyshimet për keqpërdorim në pozitën e zëvendësministrit sa ishte në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, në vitin 2015, Dedaj përsëri u emërua nga Qeveria e Kosovës në një pozitë të tillë, kësaj radhe në Ministrinë e Administrimit dhe Pushtetit Lokal. /Zeri