Deputeti i PDK-së Nait Hasani thotë se nuk kanë hequr dorë nga kërkesa për mbajtjen e seancës së Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Në anën tjetër, në medie kanë nisur të lakohen emrat se kush mund të jenë të akuzuarit e parë.

43 deputetët të cilët të premten e kaluar kanë dhënë nënshkrimet e tyre për shfuqizimin e Gjykatës Speciale nuk do të heqin dorë nga kërkesa e tyre.

Kështu kanë bërë të ditur disa prej tyre, të cilët kanë thënë se Kryesia e Kuvendit tash duhet të ecë përpara që ta thërrasë mbledhjen (pas pushimit).

Shfuqizimi i Speciales kishte dështuar të realizohej të premten mbrëma, meqë Kryesia nuk kishte pasur kuorum të mbante mbledhje për ta caktuar seancën e jashtëzakonshme, ani pse një gjë të tillë e tentoi dy herë radhazi.

Nga ana tjetër, meqë po ofrohet koha e funksionalizimit të Speciales disa emra tashmë kanë nisur të dalin në medie si emra potencialë ndaj të cilëve do të ngrihen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. Mirëpo, të kontaktuar nga “Zëri” ata i kanë cilësuar spekulime këto raportime.

Ndërkaq, përderisa përfaqësuesit e LVV-së thonë se do ta kenë qëndrimin e njëjtë siç kishin gjatë vitit 2015 lidhur me Gjykatën Speciale, ata të LDK-së thonë se kërkesa për ta shfuqizuar atë është bërë kryekëput për interesa të ngushta personale.