Nis fushata për president të ri të Maqedonisë së Veriut

Blerim Reka, Stevo Pendarovski dhe Gordana Siljanovska, sot nisin fushatën për zgjedhjet e gjashta presidenciale në Maqedoni të Veriut.

Fushatën Blerim Reka kandidat presidencial i Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa e fillon në Shkup, Siljanovska-Davkova e cila është kandidate presidenciale e VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit fushatën e fillon nga Ohri, ndërsa Stevo Pendarovski i LSDM-së dhe koalicionit prezantimin e tij do ta fillojë para votuesve të Prilepit.

Fushata për zgjedhjet presidenciale do të zgjasë deri më 19 prill, me ç’rast pason heshtja zgjedhore 24-orëshe, para ditës së votimit, raportojnë mediat në Maqedoni të Veriut, transmeton Klan Kosova.

Sipas paralajmërimeve të shtabeve zgjedhore, kandidatët do t’i vizitojnë pothuajse të gjitha vendbanimet, do të kenë takime me qytetarë dhe mitingje në qytetet më të mëdha.