Një fenomen i çuditshëm është vënë re këto ditët e fundit në rrjetet sociale…Nuk e dimë saktësisht nëse edhe ju e keni konstatuar, por situata është kjo: shumë përdorues të Instagramit dhe Facebook-ut kanë ndryshuar fotot e tyre të profilit, duke i kthyer ato thjesht në një sfond blu dhe kjo për një qëllim shumë unik dhe domethënës.

Zgjedhja për të vendosur një foto blu në profilin personal në median sociale vjen si shenjë e shprehur e solidaritetit me protestuesit në Sudan, ku pas një goditjeje brutale dhe të befasishme aty u vranë dhjetra njerëz.  Sulmi ndodhi në kryeqytetin Khartoum dhe ishte një nga ngjarjet që ka bërë bujë në median botërore.

Hashtagu: #blueforsudan

Ushtria e Sudanit po përpiqet të parandalojë përhapjen e një masakre mes protestuesve civilë, por megjithë mbylljen e internetit, fjala po përhapet masivisht. Për të tërhequr vëmendjen, njerëzit në mediat sociale po i kthejnë profilet e tyre në blu, bashkë me hashtagun #blueforSudan.

Ngjyra blu u zgjodh nga miqtë e Mohamed Mattar, 26-vjeçarit që u vra gjatë sulmit nga forcat e sigurisë në Sudan në fillim të këtij muaji. Blu-ja ishte ngjyra e tij e preferuar. Ai u qëllua teksa përpiqej të mbronte dy gra gjatë sulmit të përgjakshëm në protestën jashtë selisë ushtarake.

Kjo fushatë po merr vëmendje botërore falë edhe ndikimit të Shahd Khidir, një influencuese sudaneze e Instagram dhe blogere e bukurisë me bazë në Nju Jork. Në një postim në Instagram me një imazh blu të profilit, Khidir u tha dhjetëra mijëra pasuesve për vra sjen e shokut të saj dhe fushatën, duke shprehur se se ajo donte që zërat e protestuesve të dëgjoheshin përballë ndërprerjes së internetit në Sudan.