Derisa nuk rrezikohet anëtarësimi në NATO, 12 prilli i 2020-ës mbetet data për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Por kryeministri Zoran Zaev deklaron se nuk do ta lejojë një situatë që do ta pengonte ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për anëtarësim në NATO, pasi këtë ta kenë bërë 29 vendet anëtare.

Lidhur me propozimin për Qeverinë teknike dhe datën e shpërndarjes së Kuvendit, Zaev shton se për këtë fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi. Kreu i Qeverisë shpreh keqardhje për mungesën e kreut të Kuvendit në takimin e liderëve tek presidenti.

Por Aleanca për Shqiptarët kundërshton ndryshimin e mundshëm të datës së zgjedhjeve. Sipas nënkryetarit të ASH-së, Ilmi Aziri 12 prilli ka qenë konsensus mbi bazën e afateve të parashikuara edhe për ratifikimin e protokollit.

Kundër shtyrjes së zgjedhjeve është edhe VMRO-DPMNE-ja, lideri i së cilës Hristijan Mickoski ditë më parë deklaroi se deri më 11 shkurt ka kohë të mjaftueshme për ratifikimin e marrëveshjes përfundimtare për në NATO.

Nga ana tjetër, një qëndrim me kryeministrin Zaev ndan edhe BDI nga ku thonë se për interes të anëtarësimit në NATO, data e zgjedhjeve mund të zhvendoset. Me nevojën për shtyrjen e zgjedhjeve me qëllim mos rrezikimin e protokollit përfundimtar pajtohen edhe subjektet e tjera parlamentare pjesëmarrëse në takimin e liderëve. Që zgjedhjet të mbahen më 12 prill 2020, afati i fundit për shpërndarjen e Kuvendit mbetet 11 shkurti.

Në rast se Qeveria pretendon të merr karakterin teknik nga 3 janari, propozimi në Kuvend duhet të miratohet më së voni deri më 31 dhjetor. Ditë më parë kreu i ligjvënësit, Talat Xhaferi kërkesës së kryeministrit Zaev për shpërndarjen e Kuvendit 45 ditë para zgjedhjeve iu përgjigj me citimin e nenit 63 të Kushtetutës i cili përcakton përfundimin e mandatit të deputetëve deri në 60 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.

Nga ky afat, 50 deri 55 ditë i nevojiten Komisionit Shtetëror Zgjedhor që ta shqyrtoj listën zgjedhore, ta vë në shqyrtim publik dhe më pas subjektet politike ta shqyrtojnë në afat 5 ditor. /Alsat M/